Banorët e krahinës së Lumit të Vlorës janë mbledhur sot në një protestë para Kryeministrisë duke i bërë thirrje kreut të qeverisë, Edi Ramës, të ndalë projektin që i merr ujin lumit të Shushicës për të furnizuar Himarën.

Në deklaratën e tyre që e lexuan me megafon, protestuesit i bënë të ditur Ramës se sasia e ujit që po i merret krahinës së tyre është e pamjaftueshme dhe do ta shkretojë zonën, kurse nga ana tjetër do t’i lërë një mollë sherri brezave të ardhshëm me himariotët.

 

Pavarësisht se dje ata janë takuar me Ramën në Himarë dhe ai u ka premtuar se do ta shqyrtojë problemin, banorët e Lumit të Vlorës janë nxitur për të ardhur në protestë të ngopur nga premtimet e deritanishme, pasi gjysma e tubacioneve të ujësjellësit të Himarës tashmë janë shtrirë në pyjet e Kuçit të Vlorës.

“Banorët e Lumit të Vlorës, të cilët edhe pse nuk jetojnë atje për shkak të emigrimit, me mendje e zemër janë në vendlindjen e tyre dhe nuk do ta braktisin kurrë. Ne kemi më shumë se një vit që kemi nisur protesta për të kundërshtuar projektin dhe u kemi kërkuar të gjitha institucioneve të shtetit që të na ndihmojnë për zgjidhjen e këtij problemi, por për hir të së vërtetës, bashkëpunimi i tyre me ne ka munguar dhe ka vazhduar puna, pyjeve të Kuçit duke vendosur deri tani gjysmën e tubacioneve.

Ne kemi ardhur sot t’i themi me zë të lartë, kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, se jemi ne që e kemi falendruar publikisht dhe i kemi kënduar edhe këngë zemre dhe për këtë nuk na vjen fare turp. E meriton falënderimin tonë për rrugën e mrekullueshme të Lumit të Vlorës që na lidh me bregun e detit për 15 minuta nga një orë e gjysmë që ishte më parë apo me Tepelenën e Gjirokastrën në më pak se një orë nga 3-4 që ishte më parë.

Të parët tanë fisnikë kanë jetuar qindra vite pa rrugë, por asnjë orë të jetës së tyre pa ujë. Mos harroni që lugina e Lumit të Vlorës, që nga Kuçi, në Selenicë e Llakatund, me rreth 20 mijë ha tokë pjellore dhe resurset, del prapë në Kuç e rrugën e re duke krijuar një unazë fantastike të turizmit.

 

Ne nuk jemi kurrë kundër furnizimit të Himarës me ujë, por mos harrojmë se bregdeti i jugut të Shqipërisë noton mbi ujë dhe ka disa mundësi për zgjidhjen e këtij problemi.

Ne jemi të bindur se juve Kryeministër ju kanë keqinformuar me shifrat e studimit që ju kanë paraqitur. Ne ju sigurojmë që sasia e ujit në burim sot që duhet të jetë prurje maksimale nuk mjafton për të mbushur tubat e projekti dhe këtë e vërtetojnë shumë mirë specialistët e qeverisë shqiptare.”- theksoi kreu i protestës.

Protestuesit nga Lumi i Vlorës, që janë mbledhur me thirrje të forta sot përpara Kryeministrisë kundër projektit të ujësjellësit që u merr ujin e lumit Shushicë, kanë sjellë me vete edhe tubacione që i kanë shtrirë në mënyrë simbolike para selisë së qeverisë dhe për t’u parë nga kreu i saj.

 

Thirrja e një protestuesi për të kaluar në mosbindje civile është pritur me duartrokitje, pasi ai renditi arsyet pse banorët e 37 fshatrave të Lumit të Vlorës po e kundërshtonin projektin.

“Duke filluar që nga mënyra sesi kërkojnë ta zbatojnë këtë projekt, që është keqdashës; gjoja se kanë bërë dëgjesa publike. Janë me firma falso! Edhe firmat e të vdekurve gjenden të shkruara atje! Të firmosur.

Është hedhur çështja në gjyq dhe gjyqi nuk i anulon punimet. Pra, kjo tregon që projekti nuk është aspak dashamirës, por përkundrazi; në emër të popullit të Himarës, gjoja sikur do të furnizohen ata. Jo!

Furnizohen oligarkët, vëllezër. Populli i Lumit të Vlorës do të thahet për pikën e ujit! Janë 37 fshatra. Janë 25 ha tokë. Janë mijëra kokë bagëti. Janë mijëra kokë bletari, pemëtari, vreshtari. Me çfarë do të vaditen?!

Jua them edhe njëherë vëllezër. Të kalojmë në mosbindje civile derisa atë zgjidhet problemi. Uji i takon Lumit të Vlorës. Me të drejtë Zoti ia ka dhënë dhe e meriton.

E dëgjuam edhe në Himarë zotin kryeministër që tha se lumi është i të gjithëve! Është. Zoti Kryeministër, por edhe ai deti Jon dhe Adriatik është i gjithëve, por oligarkët tuaj e kanë zënë dhe kanë vënë vilat e tyre buzë detit dhe nuk lënë të vendosë populli një çadër! Prandaj vëllezër, ta kërkojmë me forcë. Uji na takon të gjithëve, por është për Lumin e Vlorë. Himara ka rrugë tjetër, alternativa ka plot.”, tha protestuesi i revoltuar./OraNews