Afro 68 mijë vende të reja pune janë hapur nga bizneset vetëm në dy vitet e fundit, ndikuar sa nga zhvillimi ekonomik, po aq edhe nga boshllëku i krijuar nga mungesa e fuqisë botërore.
Në një analizë që Banka e Shqipërisë i ka bërë tregut të punës si pjesë e raportit vjetor, thuhet se rritja e pagave ka pasqyruar mungesat në rritje të fuqisë punëtore.
Banka thotë se gjatë vitit 2023 vrojtimet e kryera kanë treguar se “Mungesa e fuqisë punëtore” është evidentuar si pengesë serioze nga bizneset, edhe pse pohojnë se i kanë rritur pagat.
“Gjatë vitit 2023, shkalla e rëndësisë së tij është rritur 5 herë në krahasim me vitin 2019, teksa mungesat në fuqinë punëtore kanë prekur të gjithë sektorët e vrojtuar. Gjithashtu, bizneset raportojnë se vendet vakante kanë ardhur në rritje, si pasojë e pamundësive për plotësimin e tyre”, thuhet në raport.
Edhe për rritjen e pagave, banka vlerëson se ato kanë ndikim negativ në inflacion, dhe sugjeron që të ndërmerren fillimisht reforma që synojnë rritjen e produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë, si instrumente për rritjen e qëndrueshme të pagave.
Një nga shkaqet kryesore që evidentohet në analizë që ka pasur ndikim në uljen e fuqisë punëtore, janë trendet e pafavorshme demografike dhe gara ndërkombëtare për fuqi punëtore.
“Prirjet demografike, si ulja e lindshmërisë dhe plakja e popullsisë, si dhe emigrimi i vazhdueshëm si pasojë e rritjes së konkurrencës për fuqi punëtore në tregun ndërkombëtar, do të kushtëzojnë rritjen e ofertës për punë dhe mund të ushtrojnë presione për shtrëngimin e kushteve në tregun e punës në të ardhmen”, thekson banka qendrore.
Ky trend negativ në fakt u konfirmua edhe nga rezultatet e CENS-2023, ku rezultoi se popullsia e vendit ishte tkurrur me 420 mijë banor krahasuar me vitin 2011, ndërkohë që mosha mesatare e popullsisë ishte rritur me 7 vite, duke arritur në 42,5 vjeç. Rënia më e madhe e popullsisë sipas CENS-it është regjistruar tek grup moshat e reja, ndërkohë që është shtuar ndjeshëm numri i pensionistëve./Shqiptarja