Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës" dhe me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Protesta e 31-të është mbajtur në vazhdën e protestave të organizuara në muajit e fundit në kryeqytet nga partitë opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe Partia e Lirisë (PL), si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistëve para selisë së Bashkisë së Tiranës.

Zv.kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësuesi i PD-së, Dorjan Teliti, në fjalën e tij u shpreh se protesta ka rëndësi sipas tij për t'i kthyer ligjshmërinë dhe normalitetin Shqipërisë.

"Qëndresa jonë në këtë javë të 31-të tregon diçka, që ne nuk tërhiqemi. Ne do të jemi këtu siç kemi qenë 31 javë. Të qëndrojmë si kurrë më parë, pasi o sot o kurrë kjo mosbindje civile e jona me çdo mjet demokratik ka rëndësi madhore për të rikthyer ligjshmërinë dhe për të rikthyer dinjitetin", tha Teliti.

Ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, u bëri thirrje protestuesve që të vazhdojnë protestën e tyre.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë të Lirisë dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës,Tedi Blushi, në fjalën e tij u shpreh se nuk është koha vetëm për rezistencë, por sipas tij është koha për aksion.

Pjesë e protestës ishin edhe deputetë të Partisë Demokratike, ndërkohë organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave.

Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan dhjetëra forca policore para godinës së Bashkisë së Tiranës, ndërkohë nuk u shënuan tensione.

Në Shqipëri në muajit e fundit janë organizuar protesta për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërsa disa protesta janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.

Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale "korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive"./aa