Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se numri i madh i emrave të konfirmuar për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 14 majit, tregon demokraci dhe se shpreson që fushata të jetë me shumë ide.

 

 

 

“Gjithë këta kandidatë – qofshin 6, 7 apo 17 – janë të mirëpritur. Në demokraci, sa më shumë opinione të kemi, sa më shumë ide të rrihen, aq më mirë bëhet. Ju uroj të shtatëve shumë sukses dhe një eksperiencë të jashtëzakonshme që sjell fushata dhe rrahja e ideve. Por, është tjetër gjë të komentosh nga divani në Facebook, dhe tjetër gjë të thuash se çfarë vendimi duhet të marr tani. Unë nuk e kam luksin të jem analist, unë duhet të marr një vendim për mënyrën si ecën qyteti. Vendimet nuk i pëlqejnë gjithmonë të gjithëve, por thirrja ime për të gjithë kandidatit është: Detyra jonë është t’u shërbejnë të gjithëve dhe jo t’u pëlqejmë të gjithëve”, tha Veliaj.

 

Sipas tij “ndonjëherë kur i shërben të gjithëve, ndërton një rrugë të drejtë, por dikujt i prishet avllija, e cila ka mbirë si pykë aty, dikush tjetër ka ndërtuar pa leje dhe ndoshta i prishet interesi. Ndaj, pyetja nuk është a i pëlqejmë të gjithëve, por a i shërbejmë të gjithëve. Kur ndërtojmë shkolla të reja, rrugë të reja, ne duam të kalojmë në një transport publik komplet të dedikuar për transportin publik, siç kemi bërë me biçikletat, që të mos kemi incidente apo aksidente si ai që ndodhi – është mëse normale në një qytet me kaq shumë lëvizje dhe kaq shumë fluks. Fatmirësisht asnjë humbje jete. Por duhet të kuptojmë që këto janë vendime që duhet me i marrë përditë me përgjegjësi dhe jo të bëjmë analistin. Analistët e kanë luksin të japin ide në fantashkencë. Ndërkohë, një kryetar bashkie duhet të marrë vendime të përditshme”, tha Veliaj.

 

Kreu i Bashkisë u ndal dhe te protesta e opozites, të cilën e cilësoi si shfaqjen e radhës të cirkut. “Ata dalin për hallin e tyre. Shtëpitë e njerëzve dhe paniqet i hapin vetëm për vota. Shikoni se çfarë ndodhi më 8 janar kur rrahën njëri-tjetrin dhe dogjën selinë e tyre. Praktikisht ti kupton se këta kanë hall vetëm interesin e tyre. Njëri është non-grata në Amerikë dhe Angli, tjetri nuk merr dot një votë dhe ngeli duke ndërruar emrin e partisë sepse me atë imazh skandaloz nuk mund të vazhdojnë më të jetojnë në politikë. Ata kanë vetëm, hallin e tyre, se po të ishin duke vuajtur nuk do ishin me vila në Lalz. Nuk do i kishin zyrat në kullat e Tiranës. Shajnë kullat dhe në kulla rrinë vetë, shajnë ndërtimet dhe në fakt janë ndërtuesit kryesorë, janë edhe ndërtues edhe përfituesit e mëdhenj të vilave në bregdet. Ajo e datës 3 është një cirk para fushate. Është tamam cirku në fshat. Dhjetë javë janë, do i durojmë edhe këto cirqe dhe pastaj të çojmë Tiranën dhe Shqipërinë në drejtimin e duhur”, deklaroi Veliaj.