Ministri për Evropën dhe Punët e jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se, Rezoluta antikorrupsion i shërben objektivit historik, Shqipëria e 2030-ës anëtare me të drejta të plota në BE.

Në fjalën e tij në seancën plenare të Kuvendit ku po diskutohet projektrezoluta “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, Hasani tha se, diskutimi i sotëm për miratimin e pr/rezolutës që kemi ndërtuar mbart një rëndësi të veçantë”.

“Së pari, shpreh atë proces dinamik ku krejt shoqëria shqiptare tanimë është përfshirë për realizimin e objektivave madhorë me një rezonancë që lidhet, jo thjesht me realitetin që përjetojmë, por sidomos me një brez të projektuar drejt së ardhmes, një e ardhme që ka zënë fill më parë, por konkturohet sot dhe këtu”, tha Hasani.

Së dyti, shtoi Hasani, “është një kumt që kjo mazhorancë dhe klasa politike e përfaqësuar në këtë Kuvend, i përcjell qartazi dhe pa kurrfarë ambiguiteti BE-së, vendeve të rajonit me të cilët ndajmë histori dhe fate që përkojnë me një të ardhme të përbashkët, si dhe bashkësisë së vendeve demokratike, kryeherazi, aleatit tonë strategjik, SHBA-së, por dhe një mori organizatash e organizmash ndërkombëtarë ku Shqipëria është palë”.

Nga ky këndvështrim, theksoi Hasani, “hapi që po ndërmarrim, mund të konsiderohet akti përmbyllës i një faze të gjatë tranzicioni dhe akti përurues i një shteti të ri modern shqiptar në shekullin e 21-të, një akt që na rendit në mënyrë të pakthyeshme krah bashkësisë së demokracive liberale perëndimore, si kurrë ndonjëherë tjetër në histori”.

“Ashtu siç përmendet edhe në hyrje të pr/rezolutës, si udhërrëfyes shërbejnë rekomandimet e Raportit të BE të vitit 2023 për vendin tonë, raporti screening i KE, si dhe deklaratat të Samitit për Demokraci të SHBA. Ndërkohë që barra e vënies në jetë dhe e zbatimit i ngarkohet Kuvendit të Shqipërisë, përmes krijimit të një Komisioni të Posaçëm parlamentar”, u shpreh Hasani.

“Si organi më i lartë ligjvënës dhe njëkohësisht si zëdhënës të popullit shqiptar, pavarësisht përkatësive politike, ky Kuvend dhe më konkretisht Komisioni i Posaçëm, si vjegë e tij, do të kontribuojnë në jetësimin e reformave themelore në lëmë të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit, duke shërbyer si një instrument analize, vlerësimi dhe çka është më e qenësishme, hartimin e një Plani Kombëtar Veprimi me një rreze jetëgjatë për arritjen e objektivit historik për të gjithë, Shqipëria e 2030-ës anëtare me të drejta të plota në BE, qytetare e denjë e Brukselit krahas simotrave të veta.”/ata