Të gjithë qytetarët që po paguanin kreditë e tyre të prapambetura pranë Micro Credit Albania dhe Final, këstet do vazhdojnë t’i paguajnë pranë bankave, atje ku i kanë tërhequr fillimisht.

Kjo është zgjidhja që aktualisht po diskuton Banka e Shqipërisë, pas heqjes së licencave të dy shoqërive të mikrokredisë, pasi akuzohen se në bashkëpunim me përmbarues gjyqësorë kanë zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra apo përmes shantazhimit të tyre duke i bllokuar pronat e luajtshme apo të paluajtshme.

Sipas informacioneve nga Banka e Shqipërisë janë afro 3500 kontrata kredish, që janë blerë të gjitha si hua të këqija pranë sektorit bankar nga MCA dhe Final, të cilat janë kthyer në status performues, pasi qytetarët po i shlyejnë ato.

Aktualisht Banka e Shqipërisë ka marrë në administrim të gjitha dosjet e kredive të klientëve që kishin Micro Credit Albania dhe Final, dhe pasi t’i verifikojë se në cilat banka janë tërhequr ato, do të nisë diskutimet me bankat e nivelit të dytë, për tua rikthyer përsëri klientët që i kishin shitur si kredi marrës me probleme pranë MCA e Final.

Po sipas informacioneve të gjitha kontratat e kredive që po paguhen do të verifikohen si nga Banka e Shqipërisë ashtu edhe nga bankat tregtare, për të parë nëse ka devijime apo abuzime në to, me interesat, kamatëvonesat apo penalitetet.

Ndërkohë pranë zyrave të këtyre dy shoqërive janë vendosur punonjësit e Bankës së Shqipërisë të cilët do të presin qytetarët dhe do të regjistrojnë çdo ankesë dhe kërkesë që ata kanë mbi detyrimet e tyre.

Skema e mashtrimit të qytetarëve nga subjekti financiar MCA dhe Final, po konsiderohet e njëjti si në rastin e firmave piramidale. Dy kompanitë kishin në total 32,542 klientë, nga të cilët 90% e tyre ishin në sekuestro preventive./Shqiptarja