Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, përcolli me shqetësim sot paradite incidentin para godinës së bashkisë së Tiranës, ku siguria e grupit të reporterëve dhe kameramanëve të medies u vu në rrezik si pasojë e përdorimit të lëndëve shpërthyese (molotov).

Në një njoftim për shtyp AMA theksoi se “pasiguria në punën e medies që mbulon një protestë a demonstratë është e papranueshme, është goditje për fjalën e lirë dhe kufizim për informimin e publikut”.

“Autoritetet ligjzbatuese të rendit, por dhe organizatorët e protestave, duhet të marrin masa konkrete për të mbrojtur aktivitetin e reporterëve në terren, për të lënë të hapur komunikimin e tyre me publikun në mbulimin e dinamikës së ngjarjeve”, nënvizohet në njoftimin e AMA-s.

AMA i kërkon autoriteteve, që të identifikojnë sa më parë dhe të ndjekin ligjërisht çdo akt që sulmon drejtpërdrejt apo rrezikon ekipet e medies që janë në kryerje të detyrës.

“Aleanca për Teatrin” dhe një pjesë e opozitës zhvilluan sot protestën e nëntë radhazi përpara bashkisë së Tiranës.

Protestuesit kanë hedhur molotovë e flakadanë në drejtim të bashkisë së Tiranës./ata