Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta takoi sot fermerë në Shtyllë të Vithkuqit, Korçë me të cilët bisedoi për shqetësimet që ata kanë.
Meta u shpreh në rrjetet sociale se bisedoi me Edi Pinon në fermën e tij mbi shqetësimet që ai dhe blegtorët e tjerë anembanë vendit kanë në këto kohë që ai i cilësoi dramatike për blegtorinë.
“Ky sektor jetik për ekonominë e vendit po shkon drejt greminës për shkak se subvencioni për çdo koke lope është 80 euro, gati 5 herë më pak se në Serbi, ndërkohë që 65% e fermave të lopëve te ne që zotërojnë me pak se 10 krerë, përjashtohen nga subvencioni, me një prag diskriminues dhe antikushtetues”, u shpreh Meta në rrjetet sociale.
Sipas tij, kjo është arsyeja pse qumështi nga Serbia ka përmbytur tregun shqiptar, sepse numri i krerëve tek ne brenda një pesëvjeçari thuajse është përgjysmuar dhe vazhdon uljen e pandalshme.
“Shqipëria, prodhon sot më pak qumësht se çdo vend tjetër në Europë. Vetëm 41 litra qumësht nga bagëtitë për banorë, ndërkohë që në Europë kjo sasi shkon deri në 1900 litra qumësht për banorë”, tha Meta.
Sipas Metës, zbrazja e vendit është e lidhur në veçanti me falimentimin e qëllimtë të Bujqësisë dhe të Blegtorisë.
“Shqipëria, një fuqi eksportuese është 1 nga 5 prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë. Ne do të rritim me pesëfish financimin për Bujqësinë dhe Blegtorinë. Do ta ulim TVSH për prodhimet bujqësore dhe blegtorale në 5 përqind ose katër herë më pak se sot”, tha Meta.
“Partia e Lirisë do t’i dhurojë 10 mijë euro fond çdo familjeje fermere që hap një biznes bujqësor familjar dhe do ta përjashtojë për pesë vite nga taksat dhe tatimet. Partia e Lirisë do ta kthejë Shqipërinë në fuqi eksportuese”, përfundoi Meta./ata