Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) gjatë vitit 2023, ka kryer përditësimin dhe vlerësimin financiar për 3758 vendime përfundimtare që prekeshin nga ndryshimet ligjore, me faturë financiare që arrin në 15 miliardë lekë.
Gjatë prezantimit në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të Raportit Vjetor të veprimtarisë së Agjencisë së Trajtimit të Pronës (ATP) vitin 2023, Eva Bica, drejtore e komanduar e ATP-së, tha se “nga 3758 vendimet, 1025 të tilla kanë një rivlerësim në vlerë të rritur nga 2.2 miliardë lekë, në 6.9 miliardë lekë”.
Bica shpjegoi se se, 1253 vendime të njohura për kompensim të konsideruara të rezauruara, pasi kishin një vlerë negative, sot kemi një vlerë pozitive të tyre, fatura e të cilave shkon në 10.3 miliardë lekë, ndërkohë që për 1480 vendime të tjera ku subjektet konsideroheshin të kompensuar, rezultojnë të njëjta edhe pas procesit të rivlerësimit.
Bica u ndal edhe në procesin e kompensimin financiar dhe fizik të pronarëve.
Sipas saj, gjatë vitit 2023 për kompensimin financiar dhe fizik janë regjistruar 329 aplikime, nga të cilat 40 prej tyre janë pranuar.
“Janë njoftuar për plotësim dokumentacioni 1302 aplikime, ndërkohë janë ekzekutuar 9 dosje për kompensim nga të cilat 4 dosje për kompensim me vlerë të veçantë 9.3 milionë lekë dhe vlera e kursyer për shtetit është 69.7 milionë lekë. 4 dosje me kompensim financiar deri në 1.5 milionë lekë të cilat janë kompensuar 100% dhe një dosje në formën e kompensimit 20% në vlerë financiare dhe 80% kompensim fizik”, u shpreh Bica.
Ajo informoi se, në lidhje me shpërblimin e pronave të zëna në ndërtimet informale, janë miratuar 5 VKM dhe kanë aplikuar në ATP 1017 subjekte, janë trajtuar 707 aplikime me vlerë 879 milionë lekë.
“ATP ka shqyrtuar 6907 kërkesave për njohje pronësie, dhe ka vijuar me njoftimin e 2000 subjekteve për plotësim dokumentacioni për këtë çështje. Janë rikthyer në ATP, 436 dosje nga qytetarët dhe 240 subjekte kanë depozituar dokumentacion në dosjet ekzistuese. Për vitin 2023 janë marrë 63 vendime”, u shpreh Bica.
Sipas saj, në lidhje me proceset gjyqësore, janë ngritur 345 padi dhe 51 rekurse. Gjithashtu rezulton se janë depozituar në Gjykatë 30 padi për kundërshtim të kompensimit financiar, ose e thënë ndryshe, është kundërshtuar 1% e vendimeve të rivlerësimit, bëri të ditur Bica.
Për vitin 2024, ATP ka në dispozicion të proceseve, një fond total prej 11.9 miliardë lekë, nga të cilat 4.1 miliardë lekë nga buxheti i shtetit dhe 7.8 miliardë lekë gjendje në llogaritë e saj në Bankën e Shqipërisë./ata