Skemat mbështetëse në bujqësi, por edhe investimet për rehabilitimin e sistemit të ujitjes dhe kullimit, kanë nxitur fermerët të shtojnë sipërfaqet e mbjella.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga fushat me elb dhe grurë në Libofshë të Fierit, ku çdo vit e më shumë shtohen sipërfaqet e mbjella me drithëra e kultura të tjera bujqësore.
Falë punës kolosale të bërë në gjithë këto vite për rehabilitimin e sistemit kullues e vaditës, në gjithë zonën e Myzeqesë ka më shumë kanale të riaktivizuara dhe më shumë toka të ujitura, gjë që ka sjellë rritjen e prodhimeve bujqësore.
Përveç investimeve në bujqësi, skema e naftës falas dhe masat e mbështetjes për fermerët, i kanë dhënë mundësi fermerëve të ulin kostot e prodhimit dhe të rrisin përdorimin e mekanizimit, aq më tepër në këtë periudhë të vështirë të krijuar nga rritja e çmimeve të mallrave të importuara.
Sektori i bujqësisë është ndër sektorët me kontributin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Rritja e eksporteve të prodhimeve bujqësore ka nxitur shtimin e sipërfaqeve të mbjella në gjithë territorin e vendit, kjo falë edhe aplikimit të skemave mbështetëse për fermerët./ata