Komisioni Kombëtar i Sigurisë zhvilloi sot një seancë dëgjimore me përfaqësuesit e Kombinatit Mekanik Poliçan lidhur me projektligjin “Për financimin e detyrimeve të prapambetura të pagesës së punonjësve dhe ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik Poliçan”.
Kombinati Mekanik Poliçan gëzon statusin e një ndërmarrjeje shtetërore, ku shteti, nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, është zotërues i vetëm i kapitalit të tij.
Projektligji synon trajtimin financiar, si dhe pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për punonjësit dhe ish-punonjësit e Kombinatit Mekanik Poliçan, duke përballuar efektet financiare për 4 (katër) punonjësit aktualë, për vitet 2021- 2023 dhe për 127 punonjës të palikuiduar për periudhën shkurt 2017 deri më 31 dhjetor 2020.
Efektet financiare të llogaritura për detyrimet për paga dhe deklarimin e kontributeve në sistemin e-filing, janë në masën 58.5 milionë lekë për pagat dhe 25.3 milionë lekë për sigurime shoqërore, shëndetësore, në vlerën totale 83.8 milionë lekë, të cilat do të përballohen nga fondi i alokuar për Ministrinë e Mbrojtjes, brenda vitit 2024.
Kryetari i Komisionit, Nasip Naço deklaroi se një pjesë e politikës dhe disa deputetë kanë dashur të çojnë në likuidim këtë Kombinat, por u këmbëngul dhe nuk u kalua në këtë fazë.
“Është rasti i parë që punonjësit marrin pagat e prapambetura dhe duhej sjellë një ligj pasi nuk mund të jepen me vendim të Këshillit të Ministrave. Në fazën tjetër, brenda 90 ditësh do të miratohet një tjetër ligj për ndërmarrjet me drejtim ushtarak. Detyrimet e tyre do të zerohen nga shteti, pastaj do të zgjidhen alternative të tjera për ringritjen e tyre”, tha Naço.
Përfaqësues të Kombinatit u shprehën se Kombinati mund të ringrihet pasi Poliçani i ka të gjitha kapacitetet njerëzore për ta ringritur atë./ata