Bizneset e vogla e të mesme janë shtylla e ekonomisë shqiptare dhe rritja e aksesit në financim është e rëndësishme për zhvillimin e tyre.

Në një takim me partnerë të ndryshëm publikë dhe privatë, ekspertë të Bankës Botërore diskutuan sot në Tiranë mbi praktikat më të mira ndërkombëtare dhe nevojën për një kuadër të fortë ligjor për financimin e këtij sektori.

Ekspertët parashtruan se, ndërsa Shqipëria po përparon në rrugën drejt integrimit evropian, biznesi has konkurrencë në të gjithë sektorët. Për zhvillimin e tyre është shumë e rëndësishme qasja në financë. Po çfarë instrumentesh financiarë mund të përdorin ato?

Në këtë takim u prezantua Crowdfunding, një mënyrë e re financimi e cila rrit aksesin në financë, mbështet rritjen ekonomike dhe ofron mundësi për vizibilitet në treg dhe validim të produktit.

“Crowdfunding del në pah si një alternativë premtuese kreditimi për këto biznese dhe për të pasuruar perspektivat e investimit për qytetarët shqiptarë”, thotë zv/ministri i Ekonomisë, Endrit Yzeiraj, pjesëmarrës në takim./ata