Kryetari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së Sali Berisha, prezantoi sot kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Delvinës në zgjedhjet e 14 majit.

 

“Ilir Mehmeti ka përballë rivalin e rilindjes së krimit. Nuk them socialist më. Duhet të ndajmë socialistët nga rilindasit. Rilindja është sekti më kriminal që kanë patur ndonjëherë shqiptarët në pushtet”, u shpreh Berisha.

 

Berisha tha se, në 8 vite kanë ikur nga Delvina dhe nga Shqipëria, 35 % e popullatës, kanë ikur 80% e të rinjve.

 

Ai u ndal dhe tek rrogat ku theksoi se, sot shqiptarët marrim rrogë më të ulët se në Kosovë 30-40%.

 

“Në këto 8 vite, minimumi rrogat duhej të ishin 3 herë më të mëdha se në vitin 2013. Nga viti 2005-2013, përveç të ardhurave me taksa të përgjysmuara në krahasim me sot, e rritëm borxhin me 4.2%. nga 58.2 që e ka Fatos Nano, e rritëm në 62.6 %”, tha Berisha.

 

Ai shtoi se, ” ka marrë 5 miliardë euro borxh. Po të donte ky me 5 miliardë euro, vetëm nga borxhi pa përdorur asnjë qindarkë nga të ardhurat, mund të rriste 6 herë rroga, mund të rriste 3 herë rrogat e pensionet”.

 

Berisha theksoi se, shqiptarët po ikin nga varfëria, pasi po varfërohen në mënyrë të frikshme nga paratë që vidhen.

 

“Ndërtohet rruga, 24 milionë euro, 1 km në fushë, ndërkohë që në mbarë Europën kushton 2 milionë euro. Ndërton shkolla, 6 milion euro, rikonstrukton shkolla 7 mln euro, në një kohë kur shkolla kushton 600-700 mijë euro. Këta vjedhin në mënyrën më të pakonceptueshme”, u shpreh Berisha.

 

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i pranishëm në prezantimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Delvinës  tha se, “se një e treta e kandidatëve të kryeministrit Rama para 4 vitesh, nuk arritën të shkojnë në fund të mandatit pasi, “ose kishin nga 3 emra, ose përfunduan në prokurori për korrupsion ose akuza të tjera””.

 

Meta tha se, “dy janë shtyllat kryesore të shpopullimit të Shqipërisë, braktisja e plotë e bujqësisë, e blegtorisë dhe zhdukja e të gjithë institucioneve dhe shërbimeve. Delvina pikërisht është prekur si shumë bashki të tjera për këtë arsye”.

 

Ai tha se, “kjo kërkon një ndëshkim të menjëhershëm në 14 Maj, në mënyrë që jo vetëm të ndëshkojmë këtë braktisje, këtë lënie pas dore të qëllimshme të Delvinës, por të zgjedhim njerëz të aftë, që ato resurse të jashtëzakonshme që ka patur Delvina dhe që ende i ka, t’i vërë në lëvizje dhe të sjellin mirëqenie”.

 

Meta u shpreh se, “të gjithë të shkojmë në 14 Maj të votojmë që Delvina të hyjë në rrugën e pakthyeshme të Ndryshimit,  duke zgjedhur Ilir Mehmetin, i jepni mundësinë atij, që ai të afrojë djemtë dhe vajzat më të mirë dhe më të kualifikuar të Delvinës”.