Ministeriali i Zonës Europiane të Arsimit të Lartë, që u mbajt në Tiranë me pjesëmarrjen e të gjitha vendeve, ishte një bashkërendimin i vlerave themelore nga të gjithë aktorët e fushës, që e kthyen kryeqytetin shqiptar në epiqendrën e Arsimin të Lartë të Evropës, por edhe më gjerë.

Kështu u shpreh ministrja e Arsimit e Rumanisë, Ligia Deca, në Konferencën e përbashkët për shtyp me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe ministrin e Arsimit dhe Kërkimit Shkencor të Moldavisë, Dan Perciun në përmbyllje të Ministerialit, teksa theksoi se “arritje e Ministerialit është garantimi dhe sigurimi që të gjithë të rinjtë, të  mësojnë”.

Sipas saj, fakti që tani ne kemi një mënyrë më të mirë për të matur dimensionin social të sistemeve tona, do të thotë se larmia e popullsive tona, pasqyrohet në atë larmi studentore, dhe kjo është e rëndësishme që çdokush ta ketë mundësinë, ta ketë shansin në arsim të lartë dhe t’ia dalë me sukses pavarësisht nga vijnë, shtresë shoqërore apo nivel ekonomik.

Deca theksoi se, “e rëndësishme është që të mos lëmë pas asnjë lloj potenciali dhe të shpalosim larminë tonë. Të rrisim cilësinë dhe standardet në arsimin e lartë duke njohur  diversitetet që përfaqësojmë studentët apo të rinjtë nga vendet tona”.

Në këtë takim, vuri në dukje ministrja rumune e Arsimit, u operacionalizuan vlerat themelore që “na bëjnë të gjithëve me europian, duke rritur besimin tek njeri- tjetri, sepse ne njohim diplomat, kualifikimet e njëri-tjetrit, sepse njohim cilësinë e arsimit të lartë mes njëri-tjetrit, mes vendeve”.

“Qëllimi është që të gjitha vendet anëtare të sigurojnë arsim të lartë të barabartë, të vlerësuar reciprokisht mbi bazën e cilësisë dhe standardeve”, tha Deca.

Ndërsa ministri i Arsimit dhe Kërkimit Shkencor të Moldavisë, Dan Perciun tha se të tilla ngjarje janë të rëndësishme për të rinjtë e Europës, pasi sjell më shumë mundësi për lëvizshmëri.

“Studentët nga mbarë Europa do të kenë mundësi të lëvizin në të gjithë kontinentin dhe kjo është një mundësi e shklqyer për të zbuluar risi kulturore, aftësi të reja dhe për të zhvilluar një identitet të ri kulturor”, u shpreh ai./ata