Shkollat digjitale te Piramida e Tiranës synojnë që t’u japin mësim 20 mijë fëmijëve në vit.

Kështu deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak.

Veliaj sqaroi se vetëm 14% e ambienteve të Piramidës janë dhënë me qira për bizneset, me ofertën më të lartë, të ardhurat e të cilave shkojnë për të ofruar bursa falas për fëmijët që marrin kurse digjitale.

“Jetojmë në një vend me lajme të rreme dhe më në fund, pashë që ishte arrestuar një nga këta që vinte gjoba duke sajuar lajme. Por, një nga lajmet e rreme së fundi ishte se Piramida është dhënë e gjitha me qira. Si metra katrorë, me qira janë dhënë vetëm 14% e ambienteve të Piramidës, kurse 86% janë në përdorim publik. Me këto 14% paguhen që fëmijët e Tiranës, të majtë dhe të djathtë, t’i marrin falas kurset digjitalë sepse vetë kursi kushton 150 euro. Që t’i kenë falas kurset, kemi dhënë me qira 14% të ambienteve, me çmimin më të lartë sot në treg. Nuk i kemi falur, përkundrazi ia kemi dhënë ofertuesit më të lartë, dhe me ato para po paguhen bursat e fëmijëve. Kjo për të sqaruar ata që kanë shqetësim kafet dhe shërbimet. Njerëzit duhet të shkojnë edhe në tualet, duhet të pinë edhe një kafe, do konsumojnë edhe një gotë ujë. Raporti më duket jashtëzakonisht i favorshëm, dhe financat jashtëzakonisht të favorshme për fëmijët që i kanë kurset falas”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku bëri të ditur se janë 1600 fëmijë në muaj që mësojnë te Piramida.

“Në qoftë se vazhdojmë me këto ritme, do të kemi 20 mijë fëmijë në vit. Të kesh 20 mijë fëmijë në vit në një qytet që mësojnë punët digjitale, unë besoj se është një nga punët më të mira që kemi bërë”, u shpreh Veliaj.

Duke u ndalur te projektet e radhës që pritet të zbatohen te Piramida, Veliaj tha se janë marrë dy angazhime të reja me Fondin Shqiptaro-Amerikan në dy grupmosha të caktuara.

“Dy angazhimet janë që Qendra TUMO do të mësojnë fëmijët nga mosha 12-18 vjeç. Nga mosha 18-22 vjeç do të bashkëpunojmë me “Ecole 42”, që është “Shkolla 42” e Francës, për trajnim dhe edukim më të avancuar digjital. Për moshën mbi 22 vjeç, që le të themi që futet edhe historia e Start Up-eve, atyre që krijojnë një biznes, do të bashkëpunojmë me “Plug & Play” nga San Francisco”, tha kryebashkiaku./ata