Vdekja e një të burgosuri në një qendër paraburgimi dhe dëbimi në Romë në muajin shkurt, çoi në qendër të vëmendjes kushtet brenda këtyre burgjeve de-fakto për emigrantët dhe ngriti pikëpyetje serioze në lidhje me politikën e migracionit të Italisë.
Ishte ende errësirë dhe qetësi jashtë kur Ousmane Sylla bëri lutjen e tij të fundit në oborrin e një burgu italian emigrantësh.
Pak çaste më vonë, heshtja e agimit u thye. Kaosi pushtoi qendrën e paraburgimit dhe dëbimit të Ponte Galeria në periferi të Romës. 21-vjeçari nga Guineja ishte gjetur i vdekur në një vetëvrasje të dukshme.
Të burgosurit me të, që zbuluan trupin e tij, bërtitën për ndihmë dhe furishëm u përpoqën ta ringjallën atë. Kur më në fund mbërritën mjekët, Sylla kishte marrë fund.
Të tërbuar nga vdekja e tij, emigrantët u vunë flakën dyshekëve, thyen dyert dhe gjuajtën me gurë forcat e sigurisë brenda burgut. Trazirat çuan në arrestimin e 13 personave.
Vdekja e Sylla në shkurt hodhi në qendër të vëmendjes kushtet brenda këtyre burgjeve de-fakto për emigrantët, duke ngritur pikëpyetje rreth politikës së migracionit të Italisë, pasi qeveria e saj, e udhëhequr nga kryeministrja e ekstremit të djathtë Giorgia Meloni, u zotua të ndërtojë më shumë objekte të tilla në të gjithë vendin dhe jashtë tij.
Qendrat e paraburgimit dhe dëbimit u krijuan në vitin 1999 dhe janë përshkruar si "vrima të zeza për të drejtat e njeriut", nga avokatë dhe aktivistë. Qeveria italiane thotë se ato janë thelbësore për të penguar migrantët si Sylla të kalojnë detin Mesdheu me anijet e kontrabandistëve.
Udhëtimi i Sylla nga kombi afrikano-perëndimor i Guinesë në Itali filloi në vitin 2022. Një nga shtatë fëmijët, ai e la shkollën gjatë pandemisë COVID-19. Mësoi muraturën, por pasioni i tij i vërtetë ishte kënga. Sylla postoi video të tij në TikTok duke rimuar dhe duke bërë gjeste me duar si një reper.
Italia aktualisht ka 10 burgje të tilla migrantësh në të gjithë vendin, me kapacitet për të mbajtur 700 të huaj në paraburgim administrativ në çdo kohë. Dy prej tyre, përfshirë Trapani, janë të mbyllura për rinovim.
Teorikisht, qëllimi i qendrave është dëbimi. Megjithatë, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme italiane, vetëm 52% e emigrantëve në qendrat e paraburgimit janë dëbuar me sukses. Të tjerët përfundimisht lirohen me urdhër të vetë-dëbimit, të paaftë për të punuar apo rregulluar gjendjen e tyre. Shumë bien në ekonominë e fshehtë ose bëhen pre e grupeve kriminale.
Grupet e të drejtave dhe avokatët e të drejtave të njeriut kanë denoncuar dhe dokumentuar për vite me radhë kushtet e mjerueshme brenda burgjeve të emigrantëve, duke përfshirë mungesën e shërbimeve të duhura shëndetësore, mbishkrimin e barnave psikiatrike për t'i mbajtur të paraburgosurit të qetë dhe aksesin e kufizuar për avokatët dhe të afërmit e tyre.
Nga viti 2019 deri në vitin 2024, 13 persona kishin vdekur – pesë nga vetëvrasja – brenda qendrave të paraburgimit të Italisë, të cilat gjithashtu regjistruan qindra tentativa për vetëvrasje dhe episode të vetëdëmtimit.
Familjarët e Sylla fajësojnë qeverinë italiane për vdekjen e tij.
"Unë jam shumë, kaq i zemëruar me ta," i tha motra Mariama, AP-së, menjëherë pas varrimit të tij në Conakr, "për atë që ata i kanë bërë vëllait tim të vogël, që e braktisën atë sikur të mos ishte një qenie njerëzore.”/SyriNet