ekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu dhe rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, nënshkruan në Tiranë një memorandum mirëkuptimi për zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy institucioneve.

Fuqizimi i kapitalit njerëzor, krijimi i mundësive të punësimit, nxitja e aftësive të të rinjve janë në fokusin e axhendës së RCC-së, prandaj qëllimi kryesor i këtij memorandumi është t’i mundësojë RCC-së ofrimin e një bursë të plotë, çdo vit, për një student nga Evropa Juglindore, përfshirë Ballkanin Perëndimor, në Kolegjin e Evropës, Kampusi i Tiranës.

“Kjo është një iniciativë që ndërmerret për herë të parë nga RCC. Është një ndërmarrje më shumë nga çfarë kemi bërë deri tani për axhendën rinore, përmirësimin e politikave, programet e lëvizshmërisë, praktika pune të paguara. Më shumë se 30 studentë kanë qenë praktikantë në RCC, biseda të hapura, vizita në universitete, etj.”, tha Bregu.

Ndërsa Mogherini vlerësoi faktin që Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ka vendosur të mbështesë Kolegjin e Evropës në ngritjen historike të kampusit tonë të ri në Tiranë, nëpërmjet një skeme të re bursash.

“Misioni i Kolegjit të Evropës drejt integrimit të mëtejshëm evropian është në përputhshmëri të plotë me misionin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, i cili ka punuar pa u lodhur drejt integrimit të plotë evropian të anëtarëve të tij që nga krijimi i tij. Ndërsa kampusi ynë do të rritet në vitet e ardhshme, ne jemi të përkushtuar të eksplorojmë më tej këtë partneritet dhe të mbështesim njëri-tjetrin për të maksimizuar ndikimin tonë”, u shpreh Mogherini.

Bursa e ofruar nga RCC do të mbulojë tarifën për shkollimin, akomodimin dhe ndër të tjera, udhëtimet studimore akademike. Studenti i mbështetur do të zgjidhet nëpërmjet aplikimit, në përputhje me kërkesat e Kolegjit të Evropës. Kurset do të fillojnë në gusht./ata