Kryeministri Edi Rama, nga Kosova, tha sot se hekurudha Durrës-Prishtinë nuk është më një dëshirë apo premtim, por një projekt i cili do të marrë jetë.

Rama pas një takimi me kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se nuk ka në plan një mbledhje mes dy qeverive, teksa shtoi se hekurudha Durrës-Prishtinë i është nënshtruar një analize nga ekspertët më të mirë dhe do të kalojë në fazat e tjera që duhet të kalojë një projekt për t’u realizuar.

“Ky është një projekt që kemi bashkërisht me qeverinë e Kosovës. Të tjerat janë barcaleta për thashetheme mediatike. Ne punomë bashkë, dhe hekurudha Durrës-Prishtinë, i është nënshtruar një analize. Do të duhet të presim studimin e fizibilitetit, dhe më pas procesin e financimit dhe me radhë. Nuk janë vepra që thuhen sot dhe bëhen sot. Ne kemi bërë disa përçapje për ta hapur. Do t’i diskutojmë me qeverinë e Kosovës të gjitha këto. “Shqipëria 2030” të jetë një vend ku kantieri i hekurudhës Durrës-Prishtinë të jetë kantier i hapur. Pastaj varet nga shumë gjëra përfudnimi i një vepre. Është futur në një rrugë, nuk është më një premtim apo dëshirë, por projekt i përbashkët i dy qeverive që do të marrë jetë”, tha Rama.

I pyetur mbi një mundësi për një mbledhje tjetër mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, Rama tha se “s’ka plan për mbledhje tjetër të përbashkët mes dy qeverive”./ata