Me pjesmarrjen e mbi 10 mijë nxënësve nga e gjithë Shqipëria është mbyllur sot në Vlorë sezoni i dytë i ekipeve sportive në shkolla, që nisi në fillim të këtij viti dhe që u kuorëzua me trofetë pak ditë më parë. Pjesmarrës ishin të gjithë fëmijët që dëshironin nga mosha 8-17 vjeç, për kategoritë djem dhe vajza.
“Ky është sporti. Sporti është masivizim, sporti është turizëm, cilësi jete. Sporti është mirëqenie nga këta fëmijë, për ti larguar nga veset, celulari, për t’i afruar me palestrat,”-u shpreh Fidel Ylli, president i KOKSH.
Parada e ekipeve sportive në shkolla, me demostrimin e nxënësve u mbajt në Lungomare, pasi Vlora këtë vit është përzgjedhur qyteti Evropian i Sportit.
“Të shikosh 10 mijë nxënës nga ekipet sportive nëpër shkolla nga e gjithë Shqipëria, me ngjyra kaq të bukura, dhe aq më tepër për të qenë pjesë e atij procesi që ka nisur nga 1 janari për të qenë qyteti Evropian i sportit, është qershia mbi tortë. Vendosëm atë gurin e vogël, meqënse është edhe iniciativë direkte e kryeministrit Rama, ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e KOKSH-it që po bën një punë madhore që kjo të funskionojë, rezultatet janë këto që ne po shohim sot,”-deklaroi Ermal Dredha, krybashkiak i Vlorës.
Ky projekt mbështet me një fond prej rreth 500 milionë lekësh të reja nga qeveria shqiptare, ndërsa përfshin disiplinat sportive të basketbollit dhe volejbollit. Në vitet në vijim po punohet që të përfshihet futbolli, atletika dhe sporti i shahut, ndërsa ceremonia e mbylljes së vitit të parë u mbajt në stadiumin ‘Air Albania’./Shqiptarja