Izraeli ka deklaruar se Irani “duhet të paguajë një çmim për agresionin e tij” pasi Teherani nisi një sulm hakmarrës brenda natës së kaluar duke shënjestruar territorin izraelit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, Lior Haiat, tha se “natën e kaluar, një sulm në shkallë të gjerë dhe të paprecedentë, i përbërë nga qindra drone, raketa lundrimi dhe raketa balistike, u nisën nga Irani kundër shtetit të Izraelit”.

“Sanksionet e dhimbshme duhet të vendosen ndaj Iranit, përfshirë por pa u kufizuar në fushën e raketave”, tha Haiat.

Mbrëmë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) lëshoi një breshëri dronësh dhe raketash në përgjigje të sulmit të 1 prillit në konsullatën iraniane në Damask.

Sulmi, që vrau shtatë zyrtar ushtarak iranianë, duke përfshirë një komandant të lartë të IRGC-së, tërhoqi reagime të ashpra nga zyrtarët e qeverisë iraniane, të cilët u zotuan për “përgjigje vendimtare”.

Sipas disa raporteve të pakonfirmuara, IRGC-ja lëshoi më shumë se 300 dronë dhe raketa në një sulm që zgjati disa orë, shumë prej të cilave u kapën nga sistemet izraelite të mbrojtjes ajrore.

"Koha është për të nxjerrë mësime, për të ndryshuar drejtimin dhe për të vendosur kontrollin e plotë mbi Rripin e Gazës"

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, bëri thirrje për vendosjen e një kontrolli të plotë mbi të gjithë Rripin e Gazës.

Komentet e ministrit izraelit erdhën pas një njoftimi nga zyra e kryeministri Benjamin Netanyahu se përgjigja e Hamasit ndaj propozimeve të ndërmjetësuesve për një marrëveshje shkëmbimi të të burgosurve ishte negative.

“Të heqësh dorë nga vijat e kuqe të Izraelit dhe të ndjekësh Hamasin për një marrëveshje, vetëm se e çon më larg mundësinë për të sjellë të gjitha (pengjet) në shtëpi”, shkroi Smotrich në X, lider i partisë së Sionizmit Fetar.

“Koha është për të nxjerrë mësime, për të ndryshuar drejtimin dhe për të rivendosur kontrollin e plotë izraelit në të gjithë Rripin e Gazës”, theksoi ai.

Mëngjesin e sotëm, zyra e Netanyahu-t e quajti negative përgjigjen e Hamasit ndaj planeve të përgjithshme të paraqitura nga ndërmjetësit në lidhje me një propozim për një armëpushim me Izraelin.

“Ka kaluar më shumë se një javë që nga takimi i Kajros. Hamasi ka hedhur poshtë planin që është paraqitur nga ndërmjetësit”, njoftoi zyra e kryeministrit izraelit.

Hamasi vlerësohet se mban peng më shumë se 130 izraelitë, ndërsa Tel Avivi mban në burgjet e tij më shumë se 9.100 palestinezë.

Hamasi kërkon dhënien fund të ofensivës vdekjeprurëse të Izraelit në Rripin e Gazës dhe tërheqjen e forcave izraelite nga territori për çdo marrëveshje shkëmbimi pengjesh me Tel Avivin.

Që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, kur sipas Tel Avivin u vranë afër 1.200 njerëz dhe rreth 250 të tjerë u morën peng, Izraeli ka vrarë të paktën 33.600 palestinezë në Rripin e Gazës.

Një marrëveshje e mëparshme në nëntor çoi në lirimin e 81 izraelitëve dhe 24 të huajve në këmbim të 240 palestinezë, respektivisht të 71 grave dhe 169 fëmijëve.

SHBA-ja, Katari dhe Egjipti janë përpjekur të ndërmjetësojnë një marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbetura izraelite.

Sipas OKB-së, konflikti në Rripin e Gazës ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë palestineze mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Thirrjet globale për një armëpushim janë rritur derisa lufta ka hyrë në muajin e saj të shtatë./aa