Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka shtyrë për në datën 10 qershor seancën paraprake për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ku mes të akuzuarve është edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.

E parashikuar për sot, seanca paraprake në ngarkim të 9 të dyshuarve u shty për shkak të mungesës së avokatit Klodian Skënderi. Togat e zeza duke parë mungesën e avokatit, gjykuan pamundësinë e zhvillimit të seancës dhe vijimin e punimeve në datën 10 qershor.

Dosja hetimore për koncesionin e sterilizimit u depozitua në GJKKO më datë 30 mars të këtij viti, kur Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) mbylli hetimet, duke vendosur nën akuzë 9 persona.

Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në përfundim të hetimit 3-vjeçar për koncesionin e Sterilizimit ka ngritur akuza për 9 të pandehur, dy prej të cilëve po hetohen nën masën e sigurisë “Arrest me burg”. Mes tyre është dhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i akuzuar për “Shpërdorim Detyre” dhe nën hetim në masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”. Po ashtu, pjesë e dosjes është dhe ish-zv/ministri Klodian Rrjepaj, i akuzuar për tre vepra penale: “Mashtrim”, “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim të dokumenteve”. Ish numri dy i Ministrisë së Shëndetësisë është nën masën e sigurisë “arrest me burg”, ashtu si dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.

Skeda e akuzave ndaj të pandehurve të dosjes së “Sterilizimit”
– Ilir Beqaj, “Shpërdorimi detyre”;
– Klodian Rjepaj, i akuzuar për “Mashtrim”, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”;
– Ilir Rrapaj, “Mashtrim”;
– Marsela Serjani, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”;
– Saimir Kadiu, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”;
– Petref Mersini, “Falsifikim të dokumenteve”,  “Shpërdorim detyre”;
– Arben Gjata, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”;
– Genc Burazeri, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”;
– Naile Ajazi, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”./ata