Saranda edhe për sezonin turistik të këtij viti është në listën e qyteteve të preferuara për t’u vizituar nga kroçerat.

Gjatë ditës së sotme kroçera Osterdam e kompanisë American Holland Cruises vizitoi për herë të parë për këtë sezon turistik portin e Sarandës.

Porti i Sarandës bën të ditur për ATSH-në se “në bordin e kroçerës ndodhen 1981 turistë me kombësi të ndryshme si anglezë, kanadezë, australianë, holandezë dhe nga shumë shtete të tjera”.

Turistët do të vizitojnë qytetin e bukur të Sarandës, Gjirokastrën, site arkeologjike dhe atraksione turistike në jug të vendit.

Porti Detar, Komisariati i Policisë Kufitare, Kapiteneria dhe Dogana Sarandë kanë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e sezonit të ri turistik.

Nga Saranda drejt Korfuzit është shtuar numri i trageteve dhe linjave, ku janë dhe dy kompani të reja, që do të operojnë këtë vit./ata