Qeveria synon të forcojë sistemet e sigurisë dhe të mbrojtjes, duke sjellë një ligj të ri për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Ligji integron edhe bashkëpunimin me organet e drejtësisë, të cilat janë riformatuar.

Krahas ndryshimit të emrit nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes në Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, solli nevojën për disa ndryshime lidhur me misionin, detyrat, kriteret e emërimit të drejtuesve të lartë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Enkelejd Joti, i pranishëm gjatë diskutimit të ndryshimeve në ligj, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave tha se pr/ligji i ri saktëson misionin, detyrat, kriteret e emërimit të drejtuesve të lartë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

“Gjatë këtyre viteve, funksionimi i këtij ligji ka hasur problematika në lidhje me zbatimin e disa atributeve që duhet t’i siguronte ky akt ligjor Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes në realizimin e misionit të saj. Ndryshimi i këtij ligji vjen si pasojë edhe e ndryshimeve në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet e tjera, siç janë prokuroria, gjykatat, krijimi i SPAK-ut, nxjerrja e ligjit për Policinë e Shtetit dhe Agjencia për Mbikëqyrjen Policore (AMP), institucione me të cilat Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes bashkëpunon për realizimin e misionit të saj”, tha Joti.

Sipas Jotit, ndryshimet lidhen dhe me përmirësimin e strukturës dhe trajtimin më të mirë financiar të punonjësve./ata