Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, përmes një postimi në rrjetet sociale riktheu në vëmendje programin për Bujqësinë të paraqitur në kuvendin programor mbajtur të shtunën.
Sipas Bashës, një nga shtyllat kryesore të programit është mbështetja për fermerin, e cila do të jetë në formën e subvencioneve dhe investimeve në infrastrukturë.
Basha bëri të ditur se “synim kryesor është mbështetja çdo vit me 100 milionë euro subvencione për fermerin shqiptar, si dhe 50 milionë euro zhvillim infrastrukture për fermat dhe zhvillimin rural dhe përfituesit do të jenë fermerët shqiptarë”.
Basha tha se nga kjo paketë përfitojnë rreth 150 mijë familje fermere, të cilat do ndihmohen të dalin nga errësira, nga varfëria dhe nga stanjacioni.
Basha vuri në dukje se në kuvend programi për Bujqësinë u paraqit nga Rexhep Uka, Ndoc Fasllia, Uran Abazi dhe Entela Hodaj Çeliku. Ky program, sipas tij, përfaqëson rritje ekonomike të qëndrueshme duke i dhënë mbështetjen që meritojnë fermerët.
Basha renditi edhe pikat e programit të PD për Bujqësinë.
“Së pari, subvensionet në bujqësi, duke filluar nga viti i parë i qeverisjes, do të arrijne në 100 milionë euro, ose një rritje tre heë më e madhe se sa buxheti vjetor që jepet sot në këtë sektor. Së dyti, e gjithë skema e subvensionit në bujqësi, do ti nënshtrohet një reforme totale, duke ndryshuar limitet për përfitim, duke thjeshtuar burokracinë për aplikim, si edhe duke hequr të gjitha kufizimet për përfitim nga fermerët. Së treti, kjo do të bëjë të mundur që çdo vit, nga skema e subvensionimit, të përfitojnë mbi 150 mijë fermer, ose 10 herë më shumë se sa numri aktual i fermerëve përfitues”, u shpreh Basha.
“Pjesë e skemave të subvensionit, do të jetë edhe financimi për imputet bujqësore si farëra, fidanë, plehra kimikë, pesticide, kafshë race etj. Kjo do të bëjë të mundur uljen me 30-40 % të kostos së prodhimit në bujqësi, duke rritur ndjeshëm nivelin e konkurueshmërise së prodhimit vendas”, vijoi ai.
“Pikë tjetër është se në skemat e subvensionimit, vëmendje e veçantë do ti kushtohet mbështetjes së aktiviteteve në sektorin e agroturizmit, si dhe prodhimit të produkteve lokale, autoktone, që i shërbejnë zhvillimit të këtj sektori. Nëpërmjet skemave të subvesionimit, do të mbështetet marrja e kredive nga fermerët dhe agropërpunuesit, për futjen e teknologjive të reja në prodhim dhe agropërpunim. Pjesë e programit të përvitshem të subvensioneve, do të jetë edhe pagesa deri në 50 % e primit të sigurimit të prodhimit bujqësorë nga fatkeqësitë natyrore”, bëri të ditur Basha./ata