Në tubimin e përnatshëm kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë sërish thirrje për protesta me synimin e krijimit të qeverisë teknike. Sipas tij, kjo është e vetmja rrugë për rotacion politik dhe ardhjen e opozitës në pushtet.
Nga ballkoni i shtëpisë së tij, Berisha u shpreh se kjo qeveri dhe kryeministri Edi Rama duhet të largohen.
“Nuk mund të pranojmë kurrë më që këta kriminelë, këta bashkëpunëtorë të bandave më të rrezikshme të Europës, vetëm njëri prej tyre ka transferuar nga Dubai në Europë, tre miliardë euro, Çopja.
Imagjinoni ju se çfarë fuqie kanë ata, kur vetëm njëri prej tyre disponon gjysmën e prodhimit të përgjithshëm të Shqipërisë në vlerë.
Miqtë e mi, Edi Rama duhet të largohet sa më parë. Protesta jonë për qeveri teknike, për zgjedhje të lira, është rruga e vetme e shpëtimit të Shqipërisë. Është rruga e vetme për ndryshimin e pushtetit. Rruga e vetme për ardhjen e opozitës në pushtet”, tha Sali Berisha.
Po ashtu Sali Berisha tha se krijimi i komisionit të të vërtetës për dosjet e krimit është kushti i të gjitha kushteve për të pastruar jetën politike
“Krijimi i komisionit të të vërtetës për dosjet e krimit është kushti i të gjitha kushteve për të pastruar jetën politike të Shqipërisë. Për të rikthyer në Shqipëri ligjin dhe shtetin ligjor. Pa komisionin e të vërtetës, shoqëria shqiptare do të notojë mbi falangat e krimit më monstruoz. E krimit shtetëror! Komisioni i të vërtetës është rruga e vetme për të zbardhur krimin e madh elektoral. Për të zbardhur të vërtetën e farsës elektorale në Shqipëri. Për të zbardhur terrorizmin e bandave të Edi Ramës ndaj zgjedhësve shqiptarë. Për të zbardhur miliona e miliona të përdorura prej tyre për të blerë vota me 300 euro, me 500 euro, për të blerë komisionerë me 10 mijë euro, me 15 mijë euro”, u shpreh nder te tjera ish kryeministri./GazetaShqiptare