Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe mbrojtjes së të dhënave organizoi këtë të hënë në Tiranë konferencën Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit, forumi më i lartë dhe më i rëndësishëm i bashkëpunimit e koordinimit të Autoriteteve botërore rregullatore të së drejtës për akses në informacionin publik dhe transparencën.

Në fjalën e mbajtur, Komisioneri Besnik Dervishi u ndal te rëndësia që ka e drejta e informimit dhe garantimi i transparencës.

Më duhet të theksoj se shoqëria civile, media, bota akademike apo të gjithë aktorët që operojnë në këtë fushë, luajnë një rol thelbësor në promovimin e transparencës me kontributin e vazhdueshëm të tyre,” theksoi Dervishi.

Ai shtoi se sfidë mbetet që qytetarët të mos ndeshin në burokracira të cilat e pamundësojnë dhënien e informacionit në kohën e duhur. E njëjta gjë, tha Dervishi, vlen edhe për gazetarët informacioni për të cilët mbeten jetik në funksion të informimit të publikut.

“Në ndonjë rast çështje apo kërkesa të ndryshme ngjallin edhe debate të ndezura mes nesh, por ne Komisionerët shpesh përpiqemi të vendosim ekuilibrat e duhur në respekt të të drejtave të njeriut. Në Shqipëri, si në shumë pjesë të botës, ne e dimë zhgënjimin e qytetarëve kur ata hasin burokraci, kur informacioni i kërkuar nuk jepet në kohë, apo kur gazetarët e duan atë në çast për të bërë lajmin e tyre“, tha Dervishi.

Ai i nixiti institucionet që të jenë transparente, por duke respektuar, siç u shpreh, kuadrin ligjor.

“Megjithatë, pavarësisht këtyre sfidave, ne duhet të mbetemi të palëkundur në përkushtimin tonë për të nxitur transparencën e autoriteteve publike duke respektuar ndërkohë kuadrin ligjor dhe parimet etike“, – veçoi më tej Komisioneri Besnik Dervishi në fjalën e tij./BalkanWeb