Prej 1 korrikut 2024, rreth 40% e stafit në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme përfitojnë rritje të pagave.

Lajmin e bëri të ditur sot ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili theksoi se krahas disa kategorive të nëpunësve civilë, janë diplomatët e rinj, pjesë e shërbimit të jashtëm me gradën “atashe” – “sekretar i dytë”, paga e të cilëve do të rritet rreth 14%.

Hasani theksoi se vendimi i qeverisë reflekton angazhimin e bërë publik gjatë prezantimit në fillim të herës së reformës së pagave se kompetencat njihen dhe shpërblehen me të drejtë.

“Individi, eficienca e punës dhe profesionalizimi vlerësohen”, u shpreh ministri.

Nga faza e dytë e politikës së rritjes së pagave, e cila ka nisur në vitin 2023, përfitojnë rreth 135 mijë punonjës të administratës shtetërore.

Me zbatimin e kësaj politike, paga mesatare në sektorin publik synohet të arrijë në 105 mijë lekë./ata