Banka e Shqipërisë bën të ditur se Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) qëndron pranë nivelit më të lartë historik rreth 13 pikë mbi mesataren afatgjatë, ndonëse shënoi rënie të lehtë me 1.1 pikë në muajin maj.
Sipas BSH-së, rënia e treguesit të besimit në maj u ndikua nga nivele më të ulëta besimi në sektorët e industrisë, të ndërtimit dhe të konsumatorëve. Nga ana tjetër, besimi u rrit në sektorët e shërbimeve dhe të tregtisë.
Treguesi i besimit të industrisë regjistroi rënie të lehtë me 0.6 pikë përqindje në muajin maj. Niveli i tij qëndron aktualisht 6.4 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia e treguesit këtë muaj u ndikua kryesisht nga vlerësimet më të ulëta për prodhimin industrial aktual.
Treguesi i besimit në ndërtim vijoi një prirje të lehtë rënëse për të tretin muaj rresht, por niveli i tij qëndron 20 pikë mbi mesataren historike dhe pranë maksimumit historik. Porositë aktuale janë vlerësuar me rritje. Pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë regjistruar rritje të lehtë këtë muaj.
Treguesi i besimit në shërbime shënoi rritje për të tretin muaj radhazi, duke u ngjitur me 2.1 pikë përqindje në maj. Niveli i tij aktualisht qëndron 24 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Në rritjen e treguesit kontribuuan vlerësimet më optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, dhe për nivelin aktual të kërkesës. Gjithashtu, pritjet për kërkesën dhe nivelin e punësimit në të ardhmen janë rritur këtë muaj. Bizneset kanë rishikuar për poshtë ecurinë e çmimeve në të ardhmen.
Treguesi i besimit në tregti u rrit me 1.3 pikë përqindje në muajin maj, duke vijuar prirjen rritëse që nga muaji mars i këtij viti. Niveli i këtij treguesi qëndron rreth 14 pikë përqindje mbi mesataren historike. Në rritjen mujore ndikuan kryesisht pritjet më optimiste për punësimin në të ardhmen.
Treguesi i besimit konsumator regjistroi rënie me 4.9 pikë përqindje në muajin maj. Konsumatorët vlerësuan më dobët situatën për blerjet në shuma të mëdha./ata