Masa prej 3% për strehimin social mund të zhvendoset në projekte të ndryshme nga ndërtuesi.
Tashmë në fletoren zyrtare është publikuar ndryshimi në përcaktimin e rregullave për kontributin e sektorit privat në krijimin e fondit publik të banesave sociale, i cili për herë të parë bën të mundur që një ndërtues në momentin që aplikon për leje ndërtimi, të jap sipërfaqen që i detyrohet shtetit në projekte të tjera që janë të përfunduara.
“Në rast pamundësie për ta dhënë në sipërfaqen ndërtimore të banimit që ndërtohet, subjekti privat e jep atë menjëherë në një sipërfaqe tjetër ndërtimore banimi, në përputhje me normat e projektimit të banesave, përfunduar dhe certifikuar me dokumentin e pronësisë, duke e ekuivalentuar në vlerë monetare, sipas çmimit referues të pasurisë paluajtshme “ndërtesa” për zonën ku po ndërtohet, për të cilin është dhënë leja ndërtimore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Në kontratën paraprake midis njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe subjektit që paraqet kërkesën për leje zhvillimi dhe ndërtimi, përcaktohet mënyra e përfitimit të fondit publik të banesave sociale, e cila mund të jepet edhe në vlerë monetare sipas çmimit referues të pasurisë së paluajtshme. Në këtë rast, fondi kalon nga investitori në llogarinë e posaçme të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në favor të fondit publik të banesave sociale./EuroNews