Ministri i Tregtisë së Türkiyes, Ömer Bolat tha se vendi i tij synon të arrijë një miliard dollarë në tregtinë dypalëshe me Kosovën deri në fund të vitit 2024.

Ministri Bolat tha se vëllimi tregtar ndërmjet dy vendeve arriti në 785 milionë dollarë në vitin 2023 dhe me trendin e vazhdueshëm pozitiv ndër vite, vëllimi tregtar ndërmjet dy vendeve do të arrijë në një miliard dollarë deri në fund të këtij viti.

Në fjalimin e tij në Forumin e parë të Biznesit Türkiye-Kosovë të mbajtur në selinë e Bordit të Marrëdhënieve të Jashtme dhe Diplomatike, Bolat tha se investimet e kompanive turke në Kosovë arritën në 429 milionë euro që nga viti 2023 dhe aktualisht Türkiye është vendi i gjashtë që ka investuar më së shumti në Kosovë, sipas statistikave të Bankës Qendrore të Kosovës.

"Kompanitë turke të ndërtimit deri më tani kanë përfunduar me sukses 30 projekte me vlerë 1.5 miliard dollarë në Kosovë ndërsa kompanitë turke të konsulencës teknike kanë përfunduar 19 projekte me vlerë 9.3 milionë dollarë në total", tha ai duke shtuar: "Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me miqtë tanë kosovarë në Lojërat Mesdhetare 2030 që do të mbahen në Prishtinë".

Bolat tha se zhvillimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve do të kontribuojë shumë në ekonomitë e tyre dhe mirëqenien e rajonit dhe për këtë, ai theksoi se nesër në Ankara do të nënshkruajë një protokoll për Komitetin e Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar Türkiye-Kosovë me homologen e tij kosovare, Rozeta Hajdari.

"Ne do të krijojmë një sistem të shpejtë për të mundësuar që të ndërmerren hapa konkretë për përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, pasi nuk kemi dyshim se përpjekjet tona do të kontribuojnë në prosperitetin e dy vendeve dhe si kandidate për anëtarësim në BE, Kosova është partner i rëndësishëm tregtar për Türkiyen, prandaj ky protokoll do të sjellë bashkëpunim të frytshëm në të ardhmen", tha ministri Bolat./aa