Ditën e diel, datë 2 qershor, u mbajtën zgjedhjet lokale në Kosovën Lindore: Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Partia për Veprim Demokratik, e udhëhequr në Preshevë nga Ardita Sinani, ka fituar më së shumti mandate në kuvendin komunal të Preshevës, në zgjedhjet e përsëritura lokale, të mbajtura edhe në jug të Serbisë – me shumicë shqiptare – më 2 qershor.

Sinani është këshilltare e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor në Preshevë, Alban Mehmeti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se partia e udhëhequr prej Sinanit do t’i ketë 11 ulëse në Kuvendin komunal.

Alternativa për Ndryshim e Shqiprim Arifit, dhe Partia Demokratike e Shqiptarëve, në krye me Ragmi Mustafën, kanë fituar nga tetë ulëse.

Lëvizja për Reforma e Sami Salihut i ka fituar gjashtë ulëse.

Aleanca për Luginën, e udhëhequr prej Armend Aliut dhe Ilir Sadriut i ka fituar tre ulëse.

Unioni Demokratik i Shqiptarëve, në krye me Naser Azirin, e ka fituar një ulëse, sikurse lista “Aleksandar Vuçiq-Presheva Nesër​”, e lidhur me Partinë Përparimtare Serbe (SNS).

Para zgjedhjeve, komuna e Preshevës është administruar prej një Autoriteti të Përkohshëm, të emëruar nga Qeveria e Serbisë.

Komuna e Preshevës i ka mbi 33.000 banorë nga 61.000 të shqiptarëve të regjistruar në Serbi, në regjistrimin e fundit të popullsisë, jetojnë aty.

Shqiptarë ka edhe në Bujanoc dhe Medvegjë, dy komunat tjera në jug të Serbisë, të banuara nga shqiptarët.

Tri komunat në atë pjesë përbëjnë të ashtuquajturën Luginë të Preshevës.

Në zgjedhjet lokale në Bujanoc, Fronti për Ndryshim ka fituar më së shumti vota 19.17 për qind – sipas të dhënave të zyrtarit të Komisionit komunal Zgjedhor, Fejzi Beqiri.

Kandidati i Partisë për Veprim Demokratik, Ragmi Mustafi, këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, ka fituar më së paku vota prej të gjitha partive shqiptare që kanë marrë pjesë në zgjedhjet në Bujanoc.

Në vendin e dytë është renditur Lëvizja për Përparim Demokratik, me 17.53 për qind të votave.

Në zgjedhjet e kaluara, kjo lëvizje e pati formuar një koalicion qeverisës bashkë me Partinë Demokratike dhe Partinë për Veprim Demokratik.

Partia Demokratike i ka fituar 13.53 për qind të votave, ndërsa Partia për Veprim Demokratik, e mbështetur prej kryeministrit të Kosovës, Kurtit, i ka fituar 11.59 për qind të votave.

Ndonëse partitë shqiptare kanë garuar me gjashtë lista zgjedhore në Preshevë dhe katër në Bujanoc, kryeministri Kurti i ka mbështetur vetëm kandidatët e Partisë për Veprim Demokratik – Ardita Sinanin në Preshevë dhe Ragmi Mustafin në Bujanoc, dhe u ka bërë thirrje votuesve që të votojnë për ta.

Në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të mbajtura të dhjetor të vitit të kaluar, Kurti dhe partia e tij Lëvizja Vetëvendosje, e kanë përkrahur Shaip Kamberin – kandidatin e Partisë për Veprim Demokratik, për të fituar ulëse në Kuvendin e Serbisë.

Aktualisht Kamberi është shqiptari i vetëm në atë institucion.

Asnjë minoritet në Serbi nuk ka ulëse të garantuara në Kuvend, mirëpo pragu i kalueshmërisë për ta është më i ulët, çka u mundëson fitoren më lehtë.

Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë, shqiptarët janë minoriteti i katërt më i madh në Serbi.

Në komunën e Medvegjës, të tretën në jug të Serbisë, sa i përket përqindjes së popullsisë shqiptare, zgjedhjet lokale janë mbajtur më 17 dhjetor 2023.

Vetëm dy parti kanë marrë pjesë në zgjedhje, SNS dhe Partia Demokratike për Medvegjën.

SNS-ja e ka fituar shumicën e votave në atë komunë dhe qeveris e vetme. /REL/