Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se, investigimi i RAI 3 është prodhim vendas.

E pyetur në një intervistë televizive për emisionin “Report” të Rai 3, Spiropali tha se, sqarimi është dhënë i gjatë, shterues. Të gjitha përgjigjet janë aty, të cilat nuk ngrihen për herë të parë.

Spiropali theksoi se, “materiali është përkthyer, është një prodhim vendas i dalë prej këtu dhe thjesht po kënaqen me dëgjimin e të njëjtave gënjeshtrave, baltë mbi Shqipërinë, të cilën janë mësuar të prodhojnë. Këtë dinë të bëjnë”.

“Investigimi është prodhim vendas, mund ta marrësh me radhë janë aty ato që jemi mësuar të dëgjojmë, sa vetë gazetari tha nuk është akuzë publike, ka akuza, në kurriz të Shqipërisë”, u shpreh më tej Spiropali.

Për intervistën e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj ministrja Spiropali theksoi se, “Ahmetaj është sot një i kërkuar nga drejtësia, nuk është në qeveri dhe arsyet e tij burojnë nga personalja, e kuptoj, por të marrësh deklaratat e tij në hall dhe t’i paraqesësh aty si fakte, akuzatori nuk ka rëndësi ajo që i bashkon është fakti që kanë punë me drejtësinë, ose janë përballë, ose të ikur”.

“Sot kemi një ish-kryeministër që është në akuzë publike, sulmon organet e drejtësisë, i cili është burimi kryesor i akuzave dhe gënjeshtrave, kampion botëror i gënjeshtrës dhe trillimeve, atë punë ka bërë dhe di të bëjë, vesi del me shpirtin”, tha Spiropali më tej, duke iu referuar deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha.

“S’mund të merrem dhe përkthejmë akuzat e tij, nuk i jemi fshehur shpjegimeve dhe kryeministri u është përgjigjur një më një, mund edhe ta kishte injoruar, por duke gjykuar që publiku shqiptar meriton të ketë përgjigje është përgjigjur”, tha Spiropali./ata