Japonia të shtunën do të dërgojë një ekip të tretë mjekësor në pjesët jugore të Türkiye-s të goditura nga tërmetet e fuqishme të 6 shkurtit, tha Ministria e Jashtme e vendit, transmeton Anadolu.

 

Ekipi mjekësor prej 41 anëtarësh i Japonisë për Ndihmë në Katastrofa (JDR) do të përfshijë mjekë, infermierë, farmacistë, koordinatorë mjekësorë dhe koordinatorë të detyrave, tha sot ministria në një deklaratë.

 

Ai do ta lehtësojë punën e ekipit të dytë mjekësor japonez i cili tashmë po ofron ndihmë mjekësore për njerëzit e prekur nga dy tërmetet e forta në provincën jugore të Gaziantepit.

 

"Japonia do të vazhdojë të ofrojë ndihmë të pandërprerë dhe efektive sa më shumë që të jetë e mundur deri në restaurimin dhe rindërtimin e Türkiye-s", shtoi ministria.

 

Japonia po kryen aktualisht misionin e saj mjekësor më të madh jashtë shtetit në histori në rrethin Oğuzeli të Gaziantepit, pas tërmeteve që goditën Türkiyen më 6 shkurt, nga të cilat jetën humbën mbi 45 mijë njerëz në 11 provinca.

 

Ndërsa Türkiye dhe Japonia gëzojnë lidhje të ngrohta, Tokio dërgoi Ekipin e Kërkimit Urban dhe Shpëtimit të JDR-së prej 74 anëtarësh menjëherë pas fatkeqësisë natyrore.

 

Ekipi i parë Mjekësor i JDR-së kishte 75 anëtarë, ndërsa i dyti 65. Përveç kësaj, Tokio dërgoi në Türkiye edhe anëtarë të njësive të Forcave Vetëmbrojtëse.

 

Ajo ka dërguar gjithashtu mallra për ndihmë emergjente, duke përfshirë tenda, batanije dhe jastëkë gjumi.

 

Qeveria japoneze ka njoftuar gjithashtu një grant urgjent prej 8,5 milionë dollarësh për Türkiyen për të përballuar sfidat e mëdha pas tërmeteve me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë, të cilësuara si tërmetet më të këqija të shekullit të 21-të./AA