Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nisur dezinfektimin në zonën e Belshit dhe Divjakës pas shfaqjes së karkalecit maroken dhe italian.
Ministrja Anila Denaj bëri të ditur sot se dezinfektimi po kryhet për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të parazitëve.
“Referuar rasteve të shfaqjes së karkalecit maroken dhe italian në sipërfaqet e kultivuara me kultura bujqësore në zonën e Belshit dhe Divjakës, për të marrë masat në kohë, ka filluar dezinfektimi për të mbajtur situatën nën kontroll dhe ndalur përhapjen e mëtejshme të parazitëve”, u shpreh ajo.
Sipas saj, preparatet nuk ndikojnë në vezët e insekteve, prandaj ndërhyrja më efektive është periudha e shfaqjes së fazës së katërt të larvave, pasi në këtë fazë ka përfunduar çelja e gjithës breznisë së dëmtuesit.
“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po punon për të siguruar asgjësimin e parazitëve duke siguruar kështu prodhim të shëndetshëm dhe mbështetur të gjithë fermerët për të gjetur zgjidhje efektive dhe afatgjatë për të mbjellat”, siguroi Denaj./ata