Kalaja e Gjirokastrës është monumenti më i vizituar në vend, teksa prej fillimit të vitit numëron mbi 120 mijë vizitorë vendas dhe të huaj.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se qyteti i UNESCO-s po tërheq edhe numrin më të lartë të vizitorëve.

“Kalaja e Gjirokastrës renditet e para ndër sitet kulturore me 120 723 vizitorë nga janari në korrik që kanë zbuluar shpirtin, historinë dhe vlerat e këtij monumenti për të zbritur më pas në atraksionet e tjera magjike të qytetit UNESCO”, theksoi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Turistët e huaj përbëjnë edhe numrin më të lartë të vizitorëve, ndërsa ata vijnë nga Europa, SHBA e deri nga Australia.

Kalaja është një histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës dhe përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.

Kalaja u bë e njohur në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.

Duke filluar nga viti 1968 skena e gurtë e Kalasë së Gjirokastrës do të priste me bujari instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e folkut në kuadër të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.

Njëkohësisht gjatë këtyre viteve mjediset e Kalasë kanë shërbyer edhe për organizimin e koncerteve, spektakleve dhe panaireve të ndryshëm kulturorë. Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO./ata