Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe një pjesë e opozitës vijuan sot protestën e 10-të përpara Bashkisë së Tiranës, ku kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Pavarësisht se Policia njoftoi më herët masat e marra për mbarëvajtjen e rendit të sigurisë, duke u bërë thirrje organizatorëve të distancohen nga dhuna, sërish pati përplasje dhe shtyrje mes forcave të rendit dhe protestuesve.

Këta të fundit i vunë flakën gomave të vendosura përpara Bashkisë, ndërsa u hodhën vezë e miell në drejtim të Bashkisë dhe punonjësve të Policisë. U vendosën  pankarta me akuzat e ngritura nga opozita në drejtim të kryebashkiakut Veliaj, si dhe u tentua të largohej me forcë kordoni i hekurit i sigurisë i vendosur nga policia që ndante protestuesit nga godina e Bashkisë.

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, nga radhët e opozitës, Dorjan Teliti, në fjalën e tij përpara protestuesve tha se ndërtimet e shumta në Tiranë kanë “zhdukur” Malin e Dajtit, apo kullën e Sahatit.

“Jam lindur dhe rritur në këtë qytet. Kur ishim fëmijë, arrinim ta shihnim malin e Dajtit. Sot Veliaj dhe Rama e zhdukën malin e Dajtit, siç zhdukën Sahatin. Sytë tanë shohin vetëm kulla dhe zullume”, tha Teliti.

Në krahun tjetër Tedi Blushi,  Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë tha se “kjo është protesta e 10 në radhë për dinjitetin njerëzor. Sot protestojmë për të drejtat e liritë që shkelen”.

Në foltoren e protestës mbajtën fjalime dhe aktorët, pjesë e Alencës për Mbrojtjen e Teatrit Mehdi Malkaj apo Neritan Liçaj./ata