Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “marrëveshja me Italinë për emigrantët, jo vetëm nuk ka ndeshur në refuzim apo në kontestim të Bashkimit Evropian ose të ndonjë vendi të BE-së, por përkundrazi është konsideruar si një përpjekje për t’u ndjekur në vijim dhe si një proces për t’u vlerësuar hap pas hapi”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp mbajtur në Shëngjin, me Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, i pyetur se si do të procedohet me ata emigrantë, të cilëve do t’u refuzohet azili në Itali, Rama tha se, “Kancelari i Gjermanisë, i cili është lideri i partisë socialdemokrate gjermane, pra i të majtës evropiane, është shprehur se kjo marrëveshje ka interes të veçantë për vetë Gjermaninë”, tha Rama.

“Ne nuk jemi një vend i BE-së, por ne jemi një vend evropian dhe nuk është vepra jonë harta aktuale e BE-së. BE është realiteti i parë gjeopolitik në historinë e hartave, që kur bota ka filluar të vizatojë harta që ka dy kufij, një kufi të jashtëm dhe një kufi të brendshëm, pra një perimetër të jashtëm dhe një kufi të brendshëm dhe në mes të BE-së është një zonë që quhet Ballkani Perëndimor”, theksoi Rama.

“Për të hyrë në Shqipëri do të hysh nga BE se s’ke nga futesh tjetër dhe për të dalë nga Shqipëria do të dalësh nga BE-ja s’e s’ke nga del tjetër. Dhe fakti që ne po sillemi siç normalisht duhet të silleshin dhe duhet të sillen të gjithë vendet e BE-së, që ka një legjislacion të veçantë për rishpërndarjen. Sepse kur një imigrant shkel në Lampeduza, nuk shkel vetëm në Itali, shkel në të gjithë BE-në, pra është një i ardhur në BE, nuk është një i ardhur në Itali. Dhe rishpërndarja do të thotë që të gjitha vendet marrin barrën e tyre për të administruar këtë fluks njerëzish, të cilët vijnë kërkojnë të qëndrojnë dhe të ndërtojnë një jetë në BE. Kjo nuk ka funksionuar”, u shpreh kreu i qeverisë.

Ndërkohë, shtoi Rama, “kjo qendra këtu bën zhurmë të madhe vetëm për faktin që ne nuk jemi në BE se po të ishte ndërtuar e njëjta qendër si këtu, mund ta gjesh në çdo vend të BE, konsiderohet normal, këtu konsiderohet Guantanamo. Po Pse? Për cilën arsye?”

“Ne i morëm disa mijëra afganë menjëherë, kur vendet e NATO-s, vende shumë të pasura i refuzuan. Ne morëm disa mijëra përnjëherë. Britania e Madhe tha do marr 15 mijë në 15 vitet e ardhshme se ndërkohë ndryshojnë 6 qeveri në 4 vjet dhe nuk e kanë problem që të thonë t’ia shtyjmë se i marrin të tjerët. Ne kur i morëm ishim të vetëdijshëm që jo të gjithë do e kalonin procesin e aplikimit dhe jo të gjithë do të konsideroheshin si të pranueshëm nga pikëpamja legale në SHBA apo Kanada. Pra morëm përsipër një risk që mund të na i linin dhe të gjithë këtu s’do të ishte ndonjë çudi që SHBA-të ta harronin këtë zotim, se duke qenë shumë të mëdhenj kanë luksin t’i harrojnë edhe premtimet se nuk i kërkojmë dot ne llogari. Gjëra që kanë ndodhur. Nuk e kam kritikë e kam konstatim. Por ja që një pjesë e madhe e tyre lëvizën. Thashë, që ditën e premte thuajse në mënyrë të përjavshme këtu vijnë avionë, përpunohen dhe ikin. Kemi rreth 350 që nuk pranohen atje, nuk pranohen janë këtu. Keni dëgjuar ju që të vëmë kujën apo të shkojmë t’i themi hajdeni merrini se do t’i hedhim në det, jo. I mbajmë në hotel dhe do t’i paguajmë ne, siç na kanë mbajtur dhe na kanë paguar ne të tjerët, kur kishim ne nevojë, kur ishim ne afganët, që iknim nga ferri këtu i diktaturës komuniste dhe përplaseshim në dyert e italianëve”, tha Rama.

“Kështu është jeta ka një kohë për të marrë ka dhe një kohë për të dhënë. Fatmirësisht ne kemi pasur në radhë të parë Italinë që ka pasur mundësi të na japë shumë. Ne nuk jemi Italia, jemi Shqipëria por kemi mundësi të japim pak. Dhe këtë po bëjmë. Kështu që nuk ka asnjë shqetësim në këndvështrimin tim”, nënvizoi Kryeministri Rama.

Rama theksoi se ka dhe një pikë tjetër marrëveshja.

“Janë 3 mijë vende fikse. Pra janë 3 mijë vende fikse. Është e mbyllur me 3 mijë që mund të akomodohen në Gjadër dhe aty do të trajtohen sipas të gjitha ligjeve dhe rregullave të Italisë demokratike. Se nuk më rezulton që Italia ka probleme me të drejtat e njeriut dhe pastaj ata që do të konsiderohen nga Italia si të pranueshëm në kërkesat e tyre për azil do të shkojnë në Itali. Dhe vetëm ato vende që do të lirohen prej atyre që do të shkojnë në Itali do të mund të rimbushen. Pra në të gjitha rastet, edhe sikur të themi Italia e mbyll me kaq, nuk mund të bëjmë asnjë zhurmë dhe nuk mund të bëjmë asnjë naze për 3 mijë njerëz, njerëz në hall, njerëz që ikin nga varfëria e nga lloj-lloj dhe që janë viktima të trafikantëve që iu marrin edhe lekun e fundit dhe i sjellin lakuriq në brigjet e Evropës. Gjyshërit tanë kanë mbrojtur hebrenjtë s’kanë dorëzuar asnjë hebre tek nazistët, asnjë, ashtu siç kanë marrë në mbrojtje mijëra ushtarë italianë që i kërkonin nazistët dhe i morën, i fshehën i ushqyen i mbajtën derisa i përcollën në Itali, duke rrezikuar jetët e tyre. Këtu askush s’po rrezikon jetën, përkundrazi jeta juaj që ndiqni këto ngjarje bëhet më interesante s’e keni dhe lajme, keni edhe situata që mund t’i përshkruani me ngjyra tërheqëse dhe mund të rrisni audiencën, të rrisnin pëlqimet në rrjetet sociale kështu që mos u shqetësoni. Nuk do të ndodhë asgjë, siç nuk ndodhi kur erdhën mijëra afganë dhe që të gjithë thoshin do ndodhi gjëma. Ndërkohë që e patë shumë mirë që populli shqiptar i mirëpriti sepse ky është populli shqiptar. Disa pastaj që bëjnë atë që bëjnë sepse i thonë vetes opozitë janë në punën e tyre sepse janë pa punë”, u shpreh Rama./ata