Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, tha se, “gratë e lira janë treguesi më domethënës i një shoqërie të lirë”.

E pranishme në ceremoninë e hapjes së Konferencës së Rrjetit Parlamentar “Gra të lira nga dhuna”, bashkorganizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës për herë të parë në Tiranë, Nikolla, theksoi se, “liria e grave nga cilado formë e dhunës është pasqyra ku shoqëria sheh vetveten”.

“Kontributi për lirinë e grave është pjesë e luftës për emancipimin e shoqërive tona. Liria e grave, vështirësohet dhe ngadalësohet nga pabarazia gjinore dhe dhuna. Çlirimi i grave nga dhuna nuk është një betejë dhe as nuk mund të realizohet me dekrete, zgjidhje teknike dhe numerike, por është një proces adaptiv”, u shpreh Nikolla.

Gjatë fjalës së saj, Nikolla vuri në dukje se, për suksesin në këtë luftë, duhet të jemi të qartë për vizionin dhe premisat nga duhet të nisemi.

“Gratë bëhen më të lira jo vetëm nëse fuqizohen ekonomikisht e politikisht, por edhe kur shoqëria në të gjitha nivelet dhe institucionet e saj, edukohen për ta zhvilluar, garantuar dhe mbrojtur këtë liri”, deklaroi Nikolla./ata