Sekretarja e Përgjithshme e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Despina Chatzivassiliou-Tsovilis, tha se, “Shqipëria është një nga vendet e para që e ka ratifikuar Konventën e Stambollit, që është një nga instrumentet më të rëndësishëm, që njihet si një standard kundër dhunës ndaj grave”.

Duke marrë fjalën në ceremoninë e hapjes së Konferencës së Rrjetit Parlamentar “Gra të lira nga dhuna”, bashkorganizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës për herë të parë në Tiranë, Chatzivassiliou-Tsovilis, theksoi se “Konventa e Stambollit ofron një gurthemeli për Europën kundër dhunës në familje dhe kundër dhunës ndaj grave”.

“Ky është një instrument që ofron piketat e veta duke ndëshkuar shkelësit e ligjit dhe ofron politika shumëdisiplinare në këtë drejtin”, u shpreh ajo.

Chatzivassiliou-Tsovilis, falenderoi delegacionin shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, që drejtohet nga Blerina Gjylameti, që siç tha ajo, “është një delegacion i mirënjohur për përkushtimin dhe bashkëpunimin me Asamblenë Parlamentare gjatë këtyre viteve në shumë çështje”.

Ajo solli në vëmendje se kur ishte në Shqipëri përpara 25 viteve, kur shoqëronte raportuesin e Helsinkit, kishte takuar kryeministrin Rama, që në atë kohë ishte në postin e kryetarit të bashkisë Tiranë. “U ndikova nga takimi i tij, nga dëshira e tij për të punuar dhe ky ishte një moment shumë i veçantë për mua për pak orë në ato kohë, teksa jam dëshmitare sot në të gjitha këto ndryshime që ka pësuar vendi juaj”, tha Chatzivassiliou-Tsovilis.

Sipas saj, këto ndryshime nuk janë vetëm në statistika, por ato janë kurajoze në reforma të ndryshme, reforma që e lejojnë Shqipërinë për të dalë nga procesi i monitorimit dhe lejojnë vendin për të ecur përpara në rrugën e integrimit europian.

Chatzivassiliou-Tsovilis, tha se “fakti që në këto dy ditë kemi Komitetin për Mosdiskriminim dhe Barazi në Rrjetin e Grave të Lira nga Dhuna, të cilat do të takohen këtu në Tiranë, është një simbol i fuqishëm i përkushtimit të autoriteteve për barazinë gjinore dhe  fuqizimin e grave”.

Ajo bëri apel që gratë duhet të jenë shumë aktive në luftën kundër dhunës ndaj tyre./ata