Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni ka nisur sot vizitën zyrtare në Shqipëri. Shefja e qeverisë së Romës mbërriti në Gjadër. Meloni pasi ka zbritur nga avioni i saj në Rinas, është nisur me helikopter drejt Gjadrit, ndërsa do të shohë nga afër ecurinë e punimeve të dy qendrave pritëse të emigrantëve në Portin e Shëngjinit dhe në Qendrën Pritëse të Gjadrit. Qendrat do të ngrihen bazuar në Protokollin e Bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë për trajtimin e emigrantëve që mbërrijnë nga Afrika në brigjet e Italisë.
Gazetari Ergys Gjençaj në një lidhje live për News24 nga Gjadri, tha se Meloni do të shoqërohet gjatë gjithë vizitës së saj nga kryeministri Edi Rama, me të cilin pritet të ketë edhe një konferencë për shtyp.
Marrëveshja e bashkëpunimit nënshkruar nga të dy kryeministrat parashikon që trualli ku do të vendosen dy qendrat në Shëngjin dhe Gjadrës, pasuri shtetit shqiptar, të jepet për t’u përdorur nga Italia për ngritjen e strukturave pritëse. Në qendrën e parë, atë të Shëngjinit emigrantët fillimisht do të identifikohen, për t’u dërguar më pas në qendrën e Gjadrit për t’u akomoduar për periudhën e shqyrtimit të dokumentacionit dhe kërkesave të tyre për azil në Itali.
Protokolli i Bashkëpunimit mes dy vendeve me një afat 5-vjeçar, parashikon që në Shqipëri të strehohen deri në 36.000 emigrantë për një vit. Numri i emigrantëve, që do të qëndrojnë në të njëjtën kohë, sipas marrëveshjes, nuk mund të kalojë shifrën e 3 mijë personave dhe koha e qëndrimit të tyre do të jetë 28 ditë, aq sa është afati i shqyrtimit të kërkesës për azil.
Kryeministrja italiane do të qëndrojë në Shqipëri vetëm disa orë. Pas vizitës në Shëngjin dhe Gjadër, Giorgia Meloni do të kthehet menjëherë në Romë, për shkak agjendës së paracaktuar që lidhen me fushatës elektorale të zgjedhjeve për Parlamentin Europian, që zhvillohen këtë fundjavë./BalkanWeb