Bashkia e Himarës nuk gjen qetësi. Blerina Bala kryetarja e komanduar nga Këshilli Bashkiak në 29 mars ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga detyra. Në një letër drejtuar anëtarëve të Këshillit Bashkiak, Bala shprehet se dorëheqja lidhet me arsye personale. “...Për shkaqe personale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen time të plotë, me keqardhje ju njoftoj pamundësinë time për të vazhduar detyrën e Kryetares së Bashkisë Himarë që mu besua dhe nga Këshilli Bashkiak Himarë. Me këtë letër, sot zyrtarisht paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozicioni i Kryetares së Bashkisë Himarë”, shkruan Bala.

Dy janë kandidaturat për të pasuar Blerina Balën në krye të bashkisë së Himarës.

Këshilli Bashkiak pritet të mblidhet të premten dhe njëri nga dy nënkryetarët Pervin Gjikuria dhe Arqile Bollano, do të marrë drejtimin e bashkisë.

Në 29 mars, Këshilli Bashkiak Himarë votoi me shumicë votash kandidaturën e Blerina Balës në krye të bashkisë, pak ditë pasi Jorgo Goro u arrestua nga SPAK për shpërdorim detyre./BalkanWeb