Projekti 2 miliardë euro, i marinës dhe jahteve në Durrës ka kaluar në një tjetër etapë.
Qeveria miratoi me një vendim që tashmë është publikuar në Fletoren Zyrtare kalimin pronave ku do të zbatohet projekti nga Fondi i pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike që menaxhohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave tek kompania Albanian Seaports Development Company.
Kjo është shoqëria që shteti shqiptar ka themeluar e cila do të jetë bashëaksionere në projekt me kompanitë Eagle Hills Real Estate Development dhe NSHMI Development l.l.c që përfaqësojnë investitorin Mohamed Alabbar.
Vendimi në fjalë përcakton në pikën 1 “Transferimin në pronësi të shoqërisë “Albanian Seaports Development Company” sh.a., të pronave të paluajtshme shtetërore, pjesë e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike, për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”, me vendndodhje në zonën kadastrale nr. 8514, Bashkia Durrës, sipas shtojcës 1 dhe plan-vendosjes, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
Referuar listës së parë janë në total 259 prona ndërkohë që në shtojcën tjetër edhe një listë me 22 prona të tjera të listuara duke çuar totalin në 281.
Vendimi përcakton gjithashtu se shoqëria “Albanian Seaports Development Company” sh.a. është e detyruar të përdorë pronën shtetërore për zbatimin e detyrimeve ligjore që lindin nga marrëveshja kuadër, miratuar me ligjin nr. 79/2022, “Për miratimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development” sh.p.k., “Albanian Seaports Development Company” sh.a. dhe NSHMI Developmentl.l.c., në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit””.
Për të çuar më tej zbatimin e këtij vendimi qeveria ka ngarkuar Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe kompaninë e shoqërinë aksionare të krijuar nga shteti shqiptar e ngarkuar me koordinimin dhe administrimin e proceseve te lidhura me projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durresit”.
Sipërfaqja e pronave që kalojnë për investimin është 818 mijë m2.
Projekti i Marinës së Durrësit
Në 30 janar të këtij viti u nënshkrua edhe marrëveshja përfundimtare mes shtetit shqiptar dhe investitorit dhe sipas përfaqësuesve të qeverisë kjo ishte hallka e fundit për nisjen e zbatimit. Por vetë projekti ka kohë që ka nisur marketingun dhe shitjen e apartamenteve në ajër në zonën e Durrësit .
“Durrës Yachts & Marina”, një shoqëri e përbashkët mes qeverisë shqiptare (33% përmes Albanian Seaports Development Company) dhe dy shoqërive nga Emiratet e Bashkuara (Eagle Hills Real Estate Development, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C”, me 67% së bashku), që po zbaton projektin me status strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit” filloi shitjen e apartamenteve në datën 8 dhjetor.
Apartamentet do të jenë me një deri në tre dhoma dhe do të fillojnë nga 110 mijë euro, bëhet e ditur në njoftim. Në pamjen e publikuar është e qartë që ndërtimet janë të ngjeshura, duke lënë pak hapësirë, një model që është ndjekur dhe në zhvillimin e bregdetit të Golemit.
Sipas planit të biznesit të projektit, të publikuar më herët, çmimet e shitjes do të variojnë midis 1500-2000 euro/m2.
Ndonëse ky është një investim që ka marrë statusin strategjik (duke përfituar përjashtime nga taksat, madje dhe atë të infrastrukturës dhe ndërtimit), të dhënat e planit të biznesit tregojnë se, të paktën në fazën e parë, kemi të bëjmë më shumë me një projekt të pasurive të paluajtshme, sidomos në fazën e parë të tij, sesa kthimin e hapësirave të portit në një destinacion të mirëfilltë turistik.
93% e sipërfaqes së ndërtimit të parashikuar do të jetë rezidenciale dhe nga 3.5% përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.
Gjithsej, parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8600 në fazën e dytë), ndërsa do të këtë vetëm pak hotele me më shumë se 850 dhoma. Parashikohen vetëm 280 vende për jahte.
Edhe skema e financimit të apartamenteve është e ngjashme me atë që ndodh rëndom në vend, duke mundësuar parapagimet, shitjen e apartamenteve që në ajër. Investimi i parashikuar në fazën e parë është 595 milionë euro./Monitor