Lini, vendbanimi që zhvillonte bujqësinë 8-9 mijë vjet më parë, sot mbetet një bukuri befasuese. Rezultatet e gërmimeve mbi 4-vjeçare të arkeologëve shqiptarë dhe zviceranë, konfirmuan se vendbanimi palafit i Linit në Pogradec, është më i vjetri në Europë, mbi 8500-vjeçar.

Për Shqipërinë, ky zbulim është me shumë rëndësi. Jo vetëm për gjetjet arkeologjike të cilat priten të vendosen në Pogradec, gjë që do i japë një hov cilësor turizmit arkeologjik, por edhe për vetë banorët e tij. Ata sot jetojnë me peshkim e bujqësi, zhvillimi i së cilës sipas studiuesve është “ndër provat e para të bujqësisë në Europë”.

***

E kujt nuk i ka tërhequr vëmendjen panorama e mrekullueshme e fshatit Lin, ndërsa zbret nga Qafë-Thana për në Pogradec. Shtëpitë e vogla nga larg ngjajnë si kuti të hijshme me ngjyra që qëndrojnë butë rrëzë kodrës, fushat e punuara përreth dhe vetë liqeni i Pogradecit, i cili e ndërron ngjyrën sipas dritës, janë imazhe mbresëlënëse.

Vendasit këtu janë njerëz të qetë e mikpritës.

Vaide dhe Avram Shegani nuk kanë lëvizur prej Linit. E duam, thonë, shumë këtë vend, këtu kemi të parët dhe këtu do vdesim.

Pasi na priti me një gotë raki të bërë vetë, mësojmë se Avrami ka punuar në hekurudhë si kontrollor, por thotë se ka qenë pjesë e saj edhe gjatë ndërtimit, në vitin e largët 1976. Nga ajo kohë kujton lodhjen, por edhe jetën e thjeshtë që bënin.

Sot në pension, i janë kthyer bujqësisë. Mbjellin qepë, patate, groshë e zarzavatet e stinës, zonja bën turshi, reçel e gliko, ndërsa Avrami edhe pak raki e verë.

Vaideja qëndron tek tezga që ka sajuar në derë të shtëpisë. Në çast kalon Dean Weinberg, një turist nga North Carolina. Vaideja i bën një “tur” tek ferma e saj modeste. I tregon domatet, specat, bishtajat, hardhinë e rrushin. Në fund liqenin.

Dean e falenderon bujarisht, bën një foto me të, e nxiton të ngjitet tek Mozaiku. “Mos harro të ma sjellësh foton”, – na thotë turisti Dean. Historia e tij është e njëjtë me thuajse të gjthë turistët që vizitojnë vendin tonë: Pasi kishte dëgjuar aq shumë për Shqipërinë, vendosi aty për aty ta vizitonte këtë vend kaq të përfolur. I ishte dukur vërtet magjepsës.

E sigurojmë Dean se do t’ia dërgojmë foton.

“Ka shumë moj bijë. Të shikosh autobusët që ndalojnë këtu, dhjetëra në ditë. Ja, vijnë për liqenin e ngjiten sipër tek Mozaiku. Kur zbresin marrin ndonjë turshi e reçel, por edhe raki e verë që i kemi të mira. Për të ngrënë, andej mbi kodër. Ka disa restorante që thonë që janë shumë të mirë. Unë vetë s’i kam parë se s’më lënë punët e s’kam këmbë të ngjitem, por janë vërtet të mira”.

Ngjitemi tek Mozaiku i Linit. U bënë disa vite që u hap për publikun dhe që prej asaj kohe, kodrën ku fle Mozaiku 700-vjeçar e kanë vizituar dhjetëra-mijëra turistë vendas e të huaj. Kisha paleokristiane e Linit u zbulua për herë të parë në vitin 1967, prej një ekspedite të punonjësve të muzeut lokal të Pogradecit. Por ishin gërmimet e vitit 1968 që e nxorën plotësisht në sipërfaqe. Prej vitit 1973, ai është shpallur monument kulture i kategorisë së parë.

Në qendër të Mozaikut ndodhet vaska e pagëzimit në formën e një luleje katërfletëshe, dikur e veshur me pllaka mermeri. Motivi i pjergullës është dominues dhe mbresëlënës.

Ndërsa shkrepëm disa foto, pyetëm kujdestarin e Mozaikut shkarazi se sa vizitorë kishin ardhur gjatë muajit qershor. “Po ja, ti llogaris” – tha dhe u tërhoq një moment në hije. Nxori një fletore të vjetër e nisi të numëronte sipas ditëve. “Kjo më thotë 1094, jo keq apo jo, të mendosh që ngjiten në këmbë e vapa e uruar ka pllakosur edhe këndej. Por në mbrëmje është brisk këtu. Kush vjen e fle tek këto hotelet që janë këtu mbi kodër, ja ku duken pesë minuta larg, vetëm fjalë të mira më ka thënë”.

***

Të duhen vërtet vetëm 5 minuta ecje në këmbë nga Mozaiku për të shkuar tek “Guesthouse Helga”, një prej hoteleve të çelura rishtas në Lin, një vend ideal për të kaluar momente të paharrueshme.

Strukturë guri e punuar me merak, qilime bari të sapokorrur të shoqërojnë ngado, trëndafila aromëmirë e peizazhe idilike. Liqeni në blu smerald të tundon gjatë gjithë qëndrimit këtu.

Aventurierët veç historisë, mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në kodrat përreth e sigurisht zhytjen në ujin e freskët të liqenit. E gjitha kjo ndodh vetëm 10 minuta përqark “Guesthouse Helga” dhe mjafton të kërkosh ndihmë në recepsionin që rri hapur 24 orë në 24.

Helga, vajza e shtëpisë na tregoi se shumë turistë vizitonin Linin dhe Mozaikun për një udhëtim ditor, por vetëm kalimi i disa netëve aty u mundësonte të shijonin vërtet stilin e jetesës së paqtë dhe të qëndrueshme të zonës. Disa vajza të reja të cilat po gjerbnin një lëng kumbulle të freskët të bërë nga amvisa e hotelit, nuk ngurruan të përgjigjen me shumë elegancë se kishin ardhur nga Tirana enkas prej mikes së tyre që jeton në Francë, e cila kishte pronotuar këtu që prej janarit. “Nuk është e thjeshtë të gjesh dhomë bosh, ndaj nxituam të prenotonim herët”. Ndërsa një tjetër banore e shtëpisë, një turiste daneze, rastisi të ishte shkrimtare. “Këtu kam bërë disa poezi fantastike”, – tha. Seç ka një aromë njerëzore që për mua mbetet një detaj për ta eksploruar në shkrimet e mia. Plus ushqim fantastik”.

Vërtet këtu shijon lakrorin, petullat e fshira, sallatat bio, djathin e dhisë, koranin e freskët dhe verën e rakinë e shkëlqyer vendase. Shija e Linit nuk ka kuptim pa këtë dëshmi të traditës që “Guesthouse Helga” e ka kthyer në një art të mirëfilltë./ata