Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, tha sot se qendrat e mikpritjes në Shëngjin dhe strukturat akomoduese në Gjadër do të nisin operimin më 1 gusht 2024. Siguria në këto dy zona, por dhe transporti i migrantëve do të jetë përgjegjësi e autoriteteve italiane.
Në një konferencë për shtyp, nga Shëngjini, Lezhë, ku janë ngritur strukturat akomoduese sipas marrëveshjes për migrantët, Meloni tha se në fokus të marrëveshjes është edhe lufta ndaj trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore, grupeve kriminale në fushën e emigracionit si dhe çdo formë të migrimit të paligjshëm.
“Ndodhemi këtu në strukturën e Shëngjinit, që do të kryejë funksionin e mikpritjes pas mbërritjes së emigrantëve. Ju e dini shumë mirë numrin e madh të klandestinëve që kanë mbërritur në brigjet e Italisë dhe të gjitha ato procedura që do të ndiqen që nga momenti i mbërritjes, siç janë identifikimi, gjurmët e gishtave, fotografia…etj dhe më pas do migrantët do të kalojnë në qendrën e Gjadrit”, tha Meloni.
Kryeministrja e Italisë sqaroi se “në Shqipëri s’do të vijnë gratë shtatëzëna, fëmijët, apo persona në moshë të caktuar. Do të jetë një strukturë që do të respektohen të gjitha procedurat e kalimit të kufirit. Do të kërkohetn 28 ditë maksimumi për të mbyllur procedurat. Do të trajtojë gjithashtu dhe kërkesat për azil”.
“Do të kemi përshpejtim të procedurave në rastin kur emigrantët vijnë dhe kanë origjinën nga vende të ashtuquajtura të sigurta si, Bangladeshi, Sri Lanka…etj. Do të forcojmë edhe të gjitha procedurat që do të jenë të detyrueshme për të gjithë vendet e BE për hartimin e bilancit të saj, për të parashikuar dhe shpenzimet dhe fondet që nevojiten për realizimin e këtyre procedurave që thashë pak më lart”, shtoi Meloni.
“Struktura e Gjadrit do të ketë një funksion tjetër. Aty do të ndalen emigrantët që do të mbërrijnë në Shqipëri dhe do të ketë gjithashtu dhe një zonë, hapësirë, e cila do të mbahen emigrantët e burgosur nëse do të kryejnë vepra penale. Rendi publik brenda perimetrit të qendrave do të garantohet nga autoritetet italiane dhe të dy qendrat do të jenë operative nga 1 gushti 2024”, nënvizoi Meloni.
Ajo duke iu përgjigjur kritikave në Itali për marrëveshjen, tha se vonesat në ndërtimin e strukturave kanë ardhur për shkak të terrenit.
“Ka patur nga ata që kanë ngritur kundërshti apo problematika për kohën e realizimit të këtyre qendrave. Mjaft parlamentarë të opozitës italiane e kanë ngritur si shqetësim, madje na kanë akuzuar se po bënim diçka si “Guantanamo”. Në krahun tjetër vijuan të ankoheshin për vonesën në punime. Por, ne duam t’i bëjmë gjërat ashtu siç duhet, që të funksionojnë dhe jam e bindur se do funksionojnë ashtu siç duhet”, u shpreh Meloni.
“Dy muajt e vonesës janë shkaktuar edhe për sa i përket terrenit të vështirë në Gjadër”, tha Meloni.
“Nga vendet e ashtuquajtura të sigurta kanë mbërritur në Itali 11 000 persona. Nga këto 11 000 persona, gjysma janë subjekte vulnerabël dhe ne duhet të kishim dërguar në Shqipëri 5 500 dhe në këtë mënyrë qendra do të kishte vijuar me të gjithë trajtimin e tyre. Transporti do të kryhet nga anijet e marinës italiane, Guardia di Finanza. Ministria e Brendshme po ashtu ka shpallur një garë për sa i përket shpenzimeve të transportit, që arrijnë shifrën 13.5 mln euro. Këtë vit kemi arritur të ulim me 65% të mbërritjes së emigrantëve të paligjshëm dhe kemi kursyer nga buxheti i shtetit për çështjen e emigrantëve”, deklaroi Meloni./ata