Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, tha sot 15 vende anëtare të Bashkimit Evropian kanë kërkuar nga Komisioni Evropian të ndjekin shembullin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për menaxhimin e migrantëve të paligjshëm që i vijnë në territorin e BE.
Në një konferencë për shtyp, nga Shëngjini, Lezhë, ku janë ngritur strukturat akomoduese sipas marrëveshjes për migrantët, Meloni tha se, marrëveshja e nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë mund të jetë pjesë e zgjidhjes së problemit të migracionit të paligjshëm në BE, që është shqetësim për familjen evropiane prej vitit 1991.
“Kur në verën e shkuar unë erdha këtu në Shqipëri dhe pata rastin të diskutoj me Kryeministrin Rama për këtë marrëveshje, ne morëm parasysh disa kritere, disa kushte sepse me migracionin e jashtëligjshëm është një fenomen shqetësues dhe që vendet e BE nuk mund ta përballonin të vetme, por duhej dhe ndihma e vendeve të tjera jashtë BE dhe s’na mbetet tjetër, por ta përforcojmë këtë bashkëpunim dhe arritëm në realizimin e nënshkrimin e kësaj marrëveshje, që bazohet në tre objektiva. Në luftën ndaj trafikut të qenieve njerëzore, apo emigracionit të paligjshëm”, tha Meloni.
“Dhe përmes kësaj marrëveshjeje, Shqipëria ka vënë në dispozicion disa territore të saj, zona e Shëngjinit ku ndodhemi sot dhe Gjadri. Italia po kryen punimet për ngritjen e dy qendrave, fillimisht në Shëngjin, dhe më pas ajo e Gjadrit ku do të strehohen emigrantët. Është një marrëveshje novative. E mbani mend që unë mendova dhe dëshirova fort që të shndërrohej në një model për vendet e tjera. Sot 15 vende të BE nga 27 në total nënshkruan dhe i dërguan një apel KE për të kërkuar në mënyrë që këto vende të BE të ndjekin shembullin e marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë. Dhe vetë qeveria gjermane, ministri i Brendshëm atje, këshilloi ndjekjen e modelit të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë”, u shpreh Meloni.
“Kjo marrëveshje mund të diskutohet edhe nga vendet e tjera. Mund të bëhet dhe pjesë e zgjidhjes së këtij problemi në BE. Ne duam të lëmë gjithçka pas krahëve dhe t’i themi skeptikëve se do ta realizojmë me sukses. Marrëveshja për qendrat do të jetë një zgjidhje për problematikën që haset me emigrantët që prej vitit ’91’”, përfundoi Meloni./ata