Të paktën gjashtë ushtarë filipinas u vranë gjatë një shkëmbimi zjarri me militantët, që besohet se janë pas sulmit me bomba të vitit të kaluar në Universitetin Shtetëror Mindanao, njoftoi të hënën ushtria filipinase.

Gjenerali Romeo Brawner Jr, shefi i ushtrisë, tha se ushtarët u vranë në një operacion kundër grupit "terrorist" Dawlah Islamiyah-Maute në zonën Munai të provincës veriore Lanao Del Norte, në rajonin Mindanao të Filipineve jugore.

Ushtarët e plagosur janë evakuuar për trajtim, shtoi ai.

Të paktën dy militantë u vranë gjatë operacionit të së dielës, tha gjenerali ushtarak filipinas.

Sipas Georgi Engelbrecht, një analist i shquar në Crisis Group në Filipine, operacioni ka çuar në "një nga shifrat më të larta të viktimave në radhët e ushtrisë filipinase në të kaluarën e afërt".

Të paktën katër persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, kur një bombë shpërtheu në një meshë katolike në ambientet e universitetit. Sulmin e mori përsipër DEASH-i.

Sipas gjeneralit Brawner, deri më tani të paktën 18 militantë të grupit janë neutralizuar në operacione të ndryshme./aa