Këshilli i Ministrave miratoi sot disa shtesa e ndryshime në ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, për përdorimin e fondit të rindërtimit, të miratuar për vitin 2024, në masën 420.6 milionë lekë për financimin e rindërtimit të banesave individuale në bashkitë Durrës dhe Rrogozhinë.
Sipas ndryshimeve të miratuara, bashkisë Durrës i transferohet fondi në masën 185 021 720 (njëqind e tetëdhjetë e pesë milionë e njëzet e një mijë e shtatëqind e njëzet) lekë, në formën e transfertës së pakushtëzuar.
Bashkisë Rrogozhinë i transferohet fondi, në masën 235 647 394 (dyqind e tridhjetë e pesë milionë e gjashtëqind e dyzet e shtatë mijë e treqind e nëntëdhjetë e katër) lekë, në formën e transfertës së pakushtëzuar.
Efekti financiar, për vitin 2024, përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2024, dhe i transferohet bashkive Durrës dhe Rrogozhinë në formën e transfertës së pakushtëzuar.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe bashkitë Durrës dhe Rrogozhinë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./ata