Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u takua sot në Bundestag me kryetarin e grupit parlamentar të Unionit Kristian-Social (CSU), Alexander Dobrindt.

Meta bëri të ditur se gjatë takimit e kishte njohur atë me 5 prioritetet e Partisë të Lirisë për të ndaluar shpopullimin e vendit dhe për përshpejtimin e integrimit europian.

“Theksova domosdoshmërinë e forcimit të monitorimit më të rreptë të reformave dhe standardeve demokratike, të zgjedhjeve, të të drejtave të opozitës, të respektimit të të drejtave të njeriut e pakicave, të lirisë së medias dhe garantimit të llogaridhënies në çdo nivel”, u shpreh ai.

Sipas kreut të PL-së, vetëm lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave të pista, si dhe një gjyqësor i pavarur do të sjellin më shumë investime gjermane dhe europiane në Shqipëri.

“E domosdoshme të përqendrohemi te “Procesi i Berlinit” për të ardhmen europiane të vendeve të rajonit. Shpopullimi i Shqipërisë dhe ndryshimi demografik i përbërjes së popullsisë sot në vendet tona është një rrezik edhe për Bashkimin Europian në të ardhmen. Ndaj investimi në kapitalin njerëzor dhe të rinjtë është vendimtar për të ndalur këtë fenomen”, deklaroi Meta./ata