Në Britani të Madhe sot kanë hyrë në qarkullim kartëmonedhat me portretin e mbretit Charles III.

Në një deklaratë nga Banka Qendrore e Britanisë (BoE) thuhet se në qarkullim janë futur kartëmonedhat 5,10, 20 dhe 50 paund që mbajnë portretin e mbretit Charles.

Kartëmonedhat me portretin e Mbretëreshës Elizabeth II do të vazhdojnë të përdoren si mjet pagues. Kartëmonedhat e reja do të prodhohen për të zëvendësuar ato të vjetëruarat dhe për të përballuar rritjen e përgjithshme të kërkesës për kartëmonedha. Për këtë arsye shpërndarja e kartëmonedhave të reja me portretin e mbretit Charles pritet të jetë mjaft i ngadaltë.

Në deklaratë paraqiten mendimet e guvernatorit të BoE-s, Andrew Bailey i cili tha se janë të kënaqur për hyrjen në qarkullim të kartëmonedhave. "Ky është moment historik, sepse po ndryshojmë për herë të parë sundimtarin mbi kartëmonedhat tona. E dimë se paratë e gatshme (para cash) janë të rëndësishme për shumë njerëz dhe jemi të vendosur të ofrojmë kartëmonedha për sa kohë që qytetarët e kërkojnë atë. Futja e kartëmonedhave të reja në qarkullim është tregues i kësaj vendosmërie", tha Bailey.

Kartëmonedhat e para me portretin e mbretit Charles u prodhuan (shtypën) vitin e kaluar. Portreti i mbretit Charles që ndodhet në kartëmonedha, bazohet në një fotografi të bërë në vitin 2013./aa