Akujt e ngrirë në raportin personal midis tij dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, për Albin Kurtin nuk duhet të merren edhe aq në konsideratë, nëse sheh nivelin e bashkëpunimit në terren midis dy qeverive dhe suksesin e 58 marrëveshjeve të firmosura.
“Ne për këto tre vite i kishim dy mbledhje të përbashkëta të qeverive. Unë mendoj se duhet ti kishim së paku 3 mbledhje. Kemi bërë 58 marrëveshje bilaterale që janë zbatuar shumë mirë. Kemi hapur 26 vendkalime kufitare për rreth 200 mijë banorë në të dy anët e kufirit.
Kemi bërë tregun e përbashkët energjetik ALPEX. I kemi dy zyra doganore të Kosovës në Porto Romano dhe në Durrës. Kemi nënshkruar marrëveshjen për hekurudhën Prishtinë-Durrës, që me gjasë përfshin një segment jetik për aspektin historik kulturor të kombit shqiptar, e që është ai Gjakovë-Shkodër”.
Megjithatë, Kurti ka theksuar se krisja kryesore me Ramën ka ndodhur për shkak të qëndrimeve ndaj Serbisë dhe Ballkanit të Hapur.
“E kemi atë dallimin për çështjen e Ballkanit të Hapur, e qëndrimit karshi Beogradit e me radhë por në kuptimin e afrimit, integrimit Kosovë-Shqipëri unë besoj se janë dramatizuar si karikaturë dallimet, ndërkohë që gjërat pozitive janë heshtur disi”.
Edhe pse nuk janë kursyer aspak në gjuhën me të cilën i janë referuar njëri-tjetrit dhe margjinat e komunikimit bilateral s’kanë qenë fort pozitive, Kurti vlerëson faktin se bashkëpunimi mes ministrave të dy vendeve ka qenë më i miri se çdo qeveri e mëparshme.
“Në kuptimin e punëve të kryera, rezultateve të arritura mendoj se jemi më mirë se të gjitha qeveritë e mëhershme. Edhe ndonjëherë kur është dukur që ne si dy kryeministra nuk i kemi marrëdhëniet e shkëlqyeshme kjo nuk ka vlejtur asnjëherë për ministrat”, tha Kurti në A2 CNN./Tema